Pavarësisht se kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dha urdhër që nga dita e sotme të ndërpritej transporti urban, nga një vëzhgim i bërë mëngjesin e sotëm në rrugët e kryeqytetit, gjithçka duket të jetë normale.
Urbanë të paktën 4 linjave të ndryshme janë shfaqur sot duke udhëtuar në rrugët e qytetit, raporton Faxweb.al.
Ajo që vihet re është një numër më i pakët i qytetarëve që janë brenda tyre.
Deklarata e shpërndarë nga Bashkia:
Në vijim të planit të masave mbrojtëse në qytetin e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se nga dita e enjte, datë 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.
Për sa më sipër, prej orës 05:00 të ditës së nesërme, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:
– Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Tiranës);
– Shërbimi i transportit rrethqytetas (linjat që lidhin qytetin e Tiranës me ish njësitë administrative/ komunat);
– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës).
Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masën e pezullimit të përkohshëm të këtyre shërbimeve të transportit, por gjykon se masa është e domosdoshme për të rritur efiçencën e sistemit të mbrojtjes ndaj përhapjes së mëtejshme të virusit.
(E.K/Faxweb.al)