Gazetari Basir Çollaku i ftuar në Fax News u shpreh se Fatmir Xhafaj nuk e ka mbështetjen e amerikanëve ashtu siç po interpretohet.
Çollaku tha se Xhafaj nuk u lejua të flasë në panel në “Mëngjesin e Lutjeve”, pas një urdhri nga Uashingtoni.
“Është krijuar imazhi, etiketimet mediatike, sikur Xhafaj është njeriu i amerikanëve, këto etiketime të cilat janë 95 % e rasteve nën kontrollin e maxhorancës. Unë ndaj mendimin se Xhafaj nuk është njeri amerikanëve. Amerikanët nuk e mbështesin dhe është e vështirë që të gjejmë që amerikanët të mbështesin një njeri që vëllain e ka të dënuar për trafik kokaine. Ka pasur një aktivitet “Mëngjesi i Lutjeve” para disa ditësh në Tiranë dhe një zyrtar amerikan, shumë i rëndësishëm ka vizituar Shqipërinë dhe ishte i pranishëm në aktivitet.
Në këtë aktivitet, të cilin unë e kam hulumtuar jo pak, ky ministër i Brendshëm kishte programuar që të fliste, të ishte pjesë e panelit në këtë aktivitet, të fliste për luftën ndaj krimit, ndaj terrorizmit, për rendin e sigurinë. Kanë qenë amerikanët që kanë zhvendosur nga paneli Xhafajn. Dhe me një porosi nga Washingtoni kanë kërkuar që të largohej Xhafaj nga paneli i folësve. Ai që e ka zëvendësuar Xhafajn ka qenë një këshilltar i kryeministrit, më përpara drejtor i Anti-Terrorit.”
Sipas gazetarit, amerikanët kanë shumë më tepër informacione për Xhafajn sa ne as nuk e imagjinojmë dot, ato janë në dijeni të fakteve të përfshirjes së vëllait të tij në trafikun e drogës. Në këtë kuadër, ai tha se mesazhet që jepen tregojnë se Xhafaj nuk ka mbështetjen amerikane.
(M.Q/Faxweb)