Ky është vendimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i ministrit Ilir Beqaj. Të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës do të kenë fundkional pranë tyre edhe qendrën e urgjencës për moshën pediartike. Ajo do të jetë funksionale edhe përgjatë ditëve të diela, në shërbim të fëmijëve. Ndërkohë që përveç ,mjekut të familjes apo mjekut të përgjithshëm, në gatishmëri të tyre ditëve të diela do të jetë edhe një mjek pediatër.
Kjo ka nisur të zbatohet në disa qendra shëndetësore dhe do të vazhdojë të ofrohet deri në Mars të 2017. Në këtë kuadër drejtuesit e këtyre qendrave duhet të garantojnë dhe paisjen e këtyre qendrave me barna për këtë grupmoshë.
Vendi ynë është duke u karakterizuar nga një numër shumë i lartë i të prekurve nga virozat e stinës, ndërkohë që vetëm në urgjencën pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” regjistrohen çdo ditë rreth 400-450 raste. Praktikisht, rezulton se çdo 6 minuta regjistrohet një rast i ri, duke krijuar fluks pacientësh në këtë spital.
Kjo ishte edhe arsyeja e nxjerrjes së urdhrit të ministrit Beqaj, në mënyrë që të ketë një shpërndarje të pacientëve nëpër qendrat shëndetësore si dhe shërbimi të ofrohet sa më afër tyre. Në total, në të gjithë vendin janë regjistruar rreth 14 mijë raste, çka do të thotë se vendi nuk është ende në prag epidemie, që shpallet në mbi 16 mijë raste.
SHENJAT & PARANDALIMI:
Shenjat më të zakonshme të virozave të stinës janë: Temperaturë e lartë, kollë që mund të jetë e thatë, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, anoreksi, lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, si dhe dhimbje muskulare. Kontaktet me shumë njerëz, stresi, ushqimi i gabuar dhe një sistem imunitar i dobët janë faktorë që ndikojnë në prekjen nga viruset sezonale, ndërkohë që mjekët këshillojnë rritjen e nivelit të higjienës. (E.K/SHUPLAKA)