Disa policë dhe ushtarë të armatosur rëndë janë futur në sallën e kuvendit të El Salvadorit për të kërkuar miratimin e huas prej 109 milionë dollarëve për blerjen e pajisjeve më të mira për ta.
Ata hynë në ndërtesën e organit të legjislativit në kohën kur presidenti Nayib Bukele kishte planifikuar të mbante fjalim. Më herët, ai ua dha shtatë ditë afat deputetëve që ta miratojnë huan për forcat e sigurisë.
Politikanët e opozitës e cilësuan praninë e forcave të armatosura në kuvend si akt të pashembullt të kërcënimit dhe frikësimit, shkruan “BBC”.
Ndryshe, El Salvadori është njëri prej shteteve me shkallën më të lartë të vrasjeve në botë. Shumica e vrasjeve kryhen nga grupet kriminale që veprojnë në mbarë territorin e Amerikës Qendrore.
Presidenti Bukele erdhi në pushtet në qershor të vitit të kaluar, duke u zotuar se do t’i luftojë bandat kriminale dhe korrupsionin.
Ai dëshiron që të marrë hua për blerjen e pajisjeve më të mira për policinë dhe ushtrinë në mënyrë që të luftohet më shumë krimi.
Me këto mjete synohet blerja e automjeteve, uniformave, pajisjeve për mbikëqyrje dhe një helikopter.
Discussion about this post