Efektivë të Ushtrisë Amerikane po marrin pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Immediate Response 25”, së bashku me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, në zonën e stërvitjes në Bizë.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi zyrtar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka postuar edhe momente nga stërvitja.
Stërvitja përfshin ushtrime me armë zjarri dhe ka për qëllim forcimin e aftësive mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave partnere dhe përgatitjen për zbatimin e planeve rajonale të NATO-s.
Sipas Ambasadës, Immediate Response 25 është pjesë e një sërë stërvitjesh në shkallë të gjerë që synojnë integrimin në strukturat e NATO-s përmes programeve të gatishmërisë së partneritetit shtetëror.
“Ushtarët Amerikanë po marrin pjesë në Exercise Immediate Response 25, së bashku me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, në zonën e stërvitjes në Bizë për ushtrime me armë zjarri.
Immediate Response 25 është një ushtrim në shkallë të gjerë i Ushtrisë Amerikane i projektuar për të rritur aftësitë mbrojtëse, për të mundësuar integrimin në NATO përmes programeve të gatishmërisë së partneritetit shtetëror, dhe për të përgatitur Aleatët e NATO-s në zbatimin e planeve rajonale. Ai është gjithashtu një shembull i angazhimit të ShBA ndaj Aleancës”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.