Në tërmetin e tmerrshëm të 26 nëntorit u shënuan 51 viktima ku një ndër to ishte 20-vjeçarja Xhesika Biqiku.
Në momentin kur Xhesika po dilte nga shtëpia në kokë i kishin rënë disa tulla nga kati i pestë. Fatkeqësisht pas tre ditësh në koma, ajo ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Videoja ku babai i Xhesikës i kërkonte ndihmë kryeministrit Rama që ta dërgonte në Itali për një mjekim më të specializuar bëri xhiro në rrjetet sociale. Në programin “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e sotme kishte ardhur babai i Xhesikës, Iljazi, me qëllimin për të ribashkuar familjen e tij.
Iljazi në studio rrëfeu se pas vdekjes së vajzës, familja e tij kishte kaluar disa probleme dhe se kishin procedurat e divorcit me bashkëshorten, Rozetën. Ai në program kishte ftuar Rozetën dhe vajzën tjetër, Sabinën të cilës i kërkoi që të ribashkohen përsëri. Iljazi tregoi se në familjen e tyre kishin ndërhyrë shpesh të afërmit e Rozetës dhe se kjo e fundit i kishte kthyer të dyja vajzat kundër tij.
Në momentin kur Rozeta dhe Sabina kuptuan se kush i kishte ftuar nuk pranuan që të bashkoheshin me Iljazin. Ato treguan një version tjetër nga babai dhe se ai i kishte keqtrajtuar gjatë gjithë kohës. “Kam 3 vite që e kam mohuar babain sepse ai na ofendonte dhe gjithmonë bënte sherr duke na thënë që të largoheshim prej shtëpie.”, – u shpreh Sabina.
Pavarësisht përpjekjeve dhe fjalëve të Iljazit për t’u ribashkuar përsëri, Sabina dhe mamaja e saj refuzuan kërkesën e tij duke thënë se ai nuk do të ndryshonte sjellje dhe se pas një jave do të fillonte përsëri po i njëjti avaz./TCH