Vera Pjollaj, bashkëshortja e Llesh Pjollajt që u arrestua pak ditë më parë për akuzën e vrasjes në Shkodër, thotë se ajo dhe fëmijët janë ngujuar, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Ajo tregon se vajzën e madhe është detyruar që të mos e cojë në shkollë, për shkak se persona të maskuar i kanë dalë para në rrugë dhe e kanë kërcënuar.
“Vajzës i ka dalë para një person i maskuar, dhe e ka pyetur se kujt është, I ka thënë që të mos shkojë më në shkollë”, shprehet Pjollaj.
Vera Pjollaj thotë se për vrasjen e Marash Tonajt, është duke kryer dënimin kunata e saj, dhe bashkëshorti nuk ka lidhje me ngjarjen. (lexo edhe ketu)
‘’Vrasjen e ka bërë Lena Pjollaj, dhe për këtë e po kryen dënimin e saj, fëmijët ja mban kisha. Burri nuk ka qenë i fshehur, ka qenë në shtëpi, dhe nuk fshihej”, deklaron bashkëshortja e Llesh Pjollajt.
“Kërkoj drejtësi nga shteti, o të më lirojnë babën e fëmijëve, ose të më japin zgjidhje për fëmijët e mi që janë të kërcënuar. S’kam asnjë send të ardhurash, vetëm më kanë ndihmuar kushërinjtë e burrit tim, po nuk mund të rri më gjatë këtu”, shprehet Pjollaj.
Kujtojmë se vetë Lena Pjollaj e ka pranuar vrasjen e ndodhur në vitin 2012 të Marash Tonajt.
“I kam parë vetë duke mi vrarë prindërit pasi isha me to, m’i ka vrarë para syve të mi. Gjithë këto vite kam pritur që të vras Nikën por nuk kam mundur. Kam pritur që shteti ta kapte dhe të bënte burg por as kjo nuk ka ndodhur. Nuk munda më kur i shihja që më kanë vrarë prindërit dhe ishin të lirë.Nuk munmd të duroja më. E kam takuar Marashin në rrugë ditën e ngjarjes dhe kam bërë fjalë me të. Kam shkuar tek shtëpia dhe kam marrë automatikun që i përkiste dikur babanë tim dhe me të kam vrarë Marashin duke marrë gjakun e prindërve”, shprehej ajo në Gjykatë.
(E.K/Faxweb.al)