Rritja e rasteve me fruth jo vetëm në vendet e Evropës, por, së fundmi edhe në rajon, për ekspertët kjo shihet si kërcënim për përhapjen e sëmundjes edhe në vendin tonë, ku gjatë muajit mars u raportuan 12 fëmijë të prekur. Megjithatë sipas ekspertëve nuk ka vend për panik, por, theksojnë rendësinë e aplikimit të vaksinës, pasi të pavaksinuarit janë edhe më të rrezikuar për tu prekur.
Mjeku epidemiolog Fabian Cenko thotë që mbulesa vaksinale kundër fruthit duhet të jetë mbi 95% për të shmangur shpërthimin në popullatë. “Përballë kësaj zgjidhja e parë dhe më efikase është përpjekja për të mbajtur mbulesën vaksinore të fëmijëve 1 dhe 5 vjeç në nivele të larta pra, jo më pak se 95%, ndërkohë që në Shqipëri aktualishtë mbulesa vaksinore e fëmijëve me dozën e parë është 83%, me dozën e dytë është 92%, dhe kjo tregon se ka një % jo të vogël të fëmijëve të cilët nuk vaksinohen”, tha mjeku. Ka prindër që refuzojnë të aplikojnë vaksinën MMR tek fëmijët, pasi e lidhin atë me shfaqjen e autizmit, por epidemiologu Cenko siguron qytetarët se kjo vaksinë nuk ka asnjë efekt negative në organizëm.
“Duhet thënë një gjë, që vaksina e fruthit është efiçente, është shumë efikase që ka një efekt të padiskutueshëm, virusi i fruth nuk ndryshon. Rrjedhimisht është një vaksinë që nëse unë e kam bërë para 30 vitesh, unë jam edhe sot i mbrojtur. Një vaksinë pa asnjë pasojë anësore.”, tha Cenko. Në Qendrat Shëndetësore te kryeqytetit të shumtë janë prindërit pro vaksinës MMR, të cilët nxitojnë ta aplikojnë. “Ende se ka mbush moshën, por, do e bëjmë patjetër, kemi besim tek vaksina”, thotë një prind.
Vaksina kundër fruthit aplikohet në dy doza dhe është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. Doza e parë aplikohet në fund të vitit të parë të jetës, dhe e dytë në moshën 5 vjeç. Fruthi është një sëmundje jo domosdoshmërisht i rëndë, por nuk përjashtohen edhe mundësit e hospitalizimit apo të humbjes së jetës.