Vaksinat antigrip që u shpërndanë nga Instituti i Shëndetit Publik nga data 6 deri më 9 janar, janë komentuar shumë gjatë këtij këtyre javëve për shkak të vendit të prodhimit dhe mungesës së fletëve udhëzuese.
Më 7 janar Partia Demokratike akuzoi se vaksinat e shpërndara në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit janë prodhim kinez dhe mbi të gjitha nuk kanë asnjë fletëudhëzimi në shqip, çka bie në kundërshtim me rregulloren për ilaçet.
Megjithatë, brenda së njëjtës ditë, Instituti i Shëndetit Publik e pranoi faktin se vaksinat antigrip janë të prodhuara në Kinë, por janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Në redaksinë e “Shuplaka” kanë mbërritur fotot e vaksinave, të cilat datojnë të jenë prodhuar më 26.05.2016, dhe data e skadencës së tyre daton më 25.05.2017. Por, infermierja që i ka sjellë fotot në fjalë, sqaron se me to nuk ka mbërritur asnjë lloj udhëzuesi.
Infermierja sqaron se vaksinat janë 1 vjeçare, prodhohen gjithmonë para sezonit të shtatorit, atëherë kur rreziku i gripit është më i lartë, dhe mund të përdoren gjatë gjithë vitit.
Ekspertët kanë paralajmëruar që vaksinat antigrip duhet të merreshin që në periudhën shtator-tetor, para fillimit të sezonit të gripit. Sepse përndryshe, nuk do bënin efekt.
Por a na shpëton vaksinimi nga virusi i tanishëm?
Tani jemi në pikën kulminante, ku epidemia e gripit është kthyer në një situatë alarmante për vendin, pasi deri më tani si pasojë e gripit kanë humbur jetën rreth 7 persona, disa prej të cilëve vuanin edhe nga sëmundje të tjera kronike.
Por në një situatë të tillë, kur një numër i konsiderueshëm viktimash është shënuar në vend, njerëzit i ka kapur paniku dhe vetëm tani janë drejtuar drejt qendrave shëndetësore për të bërë vaksinat.
Sipas mjekëve, vaksinimi nuk do t’i shpëtojë dot qytetarët nga virusi i dimrit. “Shuplaka” është interesuar në disa qendra shëndetësore publike në vend, ku mjekët konstatuan se vaksinimi tani bëhet për t’i paraprirë valës së ardhshme të gripit që pritet nga muaji mars.
Mjeku i turnit të parë në Qendrën Shëndetësore Nr.1, shprehet se vaksinat janë për të gjithë të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët pa dallim, të cilët mund t’i bëjnë në qendrat shëndetësore pranë shtëpisë, për t’i shpëtuar gripit të ardhshëm sezonal. Pasi rezultatet për gripin e tanishëm nuk janë shumë të sigurta, për shkak se virusi është tashmë në qarkullim, dhe i duhen 1-2 javë kohë që të krijojë imunitetin te pacienti.
Gjithashtu një audio e mbërritur në redaksinë tonë, na nxjerr në të njëjtin përfundim.
Një qytetare e interesuar pranë Qendrës Shëndetësore Studenti, mori një përgjigje që s’e priste nga mjekja lidhur me vaksinimin e një fëmije 8-vjeçar.
Fëmija sipas saj, mund ta kishte kaluar një herë gripin gjatë shtatorit, kështu që nuk ka më kuptim që të vaksinohet, pasi përveçse vaksinimi nuk do t’i bëjë efekt, mund edhe ta dëmtojë atë.
“Zakonisht këto bëhen në fillim të zezonit të virozave, kur fillon sezoni në shtator, ja dhe në tetor t’i mund tja bësh edhe në tetor, ndërkohë fëmija mund të ketë marrë një grip paraprakisht në shtator ose tetor. Dhe e ka virusin në organizëm. Sado që ti mund tja bësh vaksinën, virusi që është, është aktivizuar. Mund t’i mbajë për mirë, mund ta mbrojë, por edhe mund ta aktivizojë. Në momentin që mund të bëjë vaksinën, ndodh… i ulet imuniteti dhe nuk mund ta mbrojë mjaftueshëm.”, shprehet mjekja e Qendrës Shëndetësore Studenti.
Ndërkohë, mjekja në fjalë sqaron se vaksinat në fjalë absolutisht nuk shkaktojnë efekte kancerogjene siç u përfol fillimisht. Të vetmet efekte anësore janë këto: skuqje, enjte, irritim në vendin e vaksinimit; ethe, dhimbje koke, dhimbje kyçesh, të cilat mund të kalohen me lehtësi.
Viktimat e gripit:
Zyrtarisht numri i viktimave nga gripi ka shkuar në 7-të, mes tyre edhe një fëmijë i mitur, gati tre vjeç pas një infeskioni të cipës së trurit.
Viktimat e fundit janë dy të moshuara, njëra në qytetin e Vlorës dhe tjetra në Spitalin e Korçës.
Pacientja 82 vjeçare, shtruar në shërbimin infektiv dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017.
Ndërsa 71 vjeçarja nga Korça, diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.
Ndërsa, më 17 janar viktima e pestë e konfirmuar nga gripi, ishte vetëm një 3-vjeçar.
I vogli me iniciale B. Z. nga Shënkolli i Lezhës ishte paraqitur fillimisht në urgjencën e Spitalit të Lezhës dhe më pas është shtruar atje, por gjendja e tij nuk u përmirësua. Më pas është transportuar drejt Tiranës ku dhe është shtruar në Reanimacionin e Pediatrisë të QSUT-së,
76-vjeçari me iniciale S. K. është viktima e katërt e të virusit të gripit në Shqipëri shkaktuar nga ulja e theksuar e temperaturave në vend.
Mësohet se i moshuari i shtruar prej tetë ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohej për “Pneumonia dexter at insufiçencë Respiratore” dhe sëmundje shoqëruese, SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike), Diabetues Mellitus, Status Post By-Pass, i cili, në përgjigje të mostrave ekzaminuara nga ISHP ka rezultuar pozitiv për virusin e gripit të stinës AH3N2.
Viktima e tretë e virusit të gripit në Shqipëri është 73-vjeçarja me iniciale Z. R. e diagnostikuar me “Insuficensë respiratore”. Vdekja e të moshuarës u raportua më 11 janar të këtij viti, e konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
73-vjeçarja nga Kukësi u shtrua më 8 janar 2017 në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” me diagnozë “Tromboemboli Pulmonare Bilaterale, SPOK, stadi i katërt, dhe me Insufiçencë Respiratore,” e cila, në përgjigje të mostrave ekzaminuara nga ISHP ka rezultuar pozitive për virusin e gripit të stinës AH3N2.
Ndërsa dy rastet e para të konfirmuara të virusit të gripit ishin dy të moshuar, që ndërruan jetë më 2 dhe 3 janar.
K., mashkull, 70 vjeç, banues në Tiranë, u shtrua më 31 Dhjetor 2016 në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi,” me SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike) të riakutizuar, insufiçencë respiratore dhe status gripalis. Ai ndërroi jetë më datë 2 Janar 2017.
Një 71-vjeçar, i cili u raportua se u shtrua më 3 janar 2017 në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ndërroi jetë po atë ditë. Përveç sëmundjeve të tjera, ai rezultoi i prekur edhe nga gripi. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”850″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]