Seria e dytë e bisedimeve Shqipëri-Greqi përfundoi pak ditë më parë në Korçë, ku dy ministrat Bushati-Kotzias, pasi negociuan për tre ditë, vendosën të vijojnë diskutimet për çështjet që i ndajnë palët.
Ndërkohë në Dragot të Tepelenës ka filluar zhvarrosja e eshtrave të ushtarëve grekë.
Pavarësisht se i vetmi trup i gjetur deri më tani i përket një ushtari italian, pala greke e duartrokiti si një nisje të mbarë.
Një grup protestuesish të nisur nga Gjirokastra dhe qytete të tjera të vendit, kanë thënë se kjo që po ndodh është e papranueshme, dhe se eshtrat që po zhvarrosen nuk janë të ushtarëve grekë, por të shqiptarëve.


Nga ana tjetër, një incident domethënës ka ndodhur në Kretë, aty ku Bushati dhe Kotzias kërcyen “Zorbën”, në takimin e parë mes tyre.

Në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, ishte rënë dakord që në Greqi do lejohej nisja e programeve për gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në shkolla.
Në një shkollë në Hania, nisja e kurseve ka shkaktuar tension. “Zarpanews.gr” raporton se shkak për tensionin ka qenë vendosja e flamurit shqiptar përkrah atij grek, por flamuri grek është vendosur kokëposhtë, çka ka ngjallur reagime negative dhe ka sjellë pezullimin e kurseve.

Shoqata e prindërve dhe Këshilli i Shkollës, në një reagim të tyre argumentojnë se tensioni i tyre lidhet me faktin se flamuri grek është vendosur kokëposhtë, dhe jo nga nisja e kurseve në gjuhën shqipe. Më tej, në reagim thuhet se nisja e këtyre kurseve i ka kapur të papërgatitur dhe të painformuar.
Në përgjigjen zyrtare të Drejtorit të Drejtorisë Arsimore, Stelios Zervakis, thuhet se mosinformimi i komunitetit, dhe incidenti me flamurin, janë shkak për pezullimin e kursit të gjuhës shqipe.
Leja për zhvillimin e kurseve në gjuhën shqipe është dhënë nga autoritetet qendrore dhe ishte vendosur që ditën e diel do zhvilloheshin orët e para.
Burimi: Zarpanews.gr
(F.G/Faxweb)