Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka reaguar ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili i kërkonte prokurorisë që të merrte si të pandehur Dakon, për shkak të pretendimeve se ky i fundit ka lidhje me grupet kriminale në Shijak.
Dako thotë se Basha nuk ka asnjë mundësi që të fitojë me zgjedhje vota në Durrës, për shkak se qytetarët e kanë humbur te ai besimin. Po ashtu kryetari i Bashkisë së Durrësit thotë se do ta çojë në gjyq Bashën për shpifje, ndërsa i kujton dhe paratë e kunatit.
Reagimi i Vangjush Dakos:
O Lulëzim Basha! Ti duhet t’i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën.. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq! Ti duhet ta kuptosh që s’ke vota o Lulëzim dhe s’ta kam fajin as unë, as durrsakët, as shijaksit as krutanët. NUK KE VOTE!
Je një peshk rezervati që nuk hahesh dot dhe hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh.. TY NUK TE BESON ASKUSH o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit. Kurse mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s’i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote!
Ti vazhdo dil e shpif përditë jo krimi, jo droga, jo leku jo byreku, se ka ardh koha t’i marr edhe ca lekë unë nga thesi që të mban kunati ty. Do shihemi në gjyq bashkë ose në fakt jo, se ti merr raport mjekësor kur të thërret gjykata. Toç!
Deklarata e Bashës:
Tashmë është e qartë për këdo se Edi Rama ka patur një plan të mirëmenduar e të shtrirë anembanë vendit, për bashkëpunim me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal. Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur.
Lënia e tij i lirë edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht bashkëpunimin me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë. Dua t’i kujtoj Donika Prelës dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit, Tahirit e të tjerë, është veprim i rëndë kriminal për të cilën ato do të mbajnë shpejt përgjegjësi deri më një. Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti.
(E.K/FAXWEB.AL)