Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka deklaruar sot se ditët e fundit aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë janë përfshirë në një fushatë për të delegjitimuar Vettingun.
Kjo deklaratë ka ardhur nga shefi politik i delegacionit të BE në Tiranë, Sylvain Gambert.
“Vettingu është kushti kryesor për hapjen e negociatave dhe pavarësisht kush është ambasadorja e Brukselit në Tiranë, ky proces do të zbatohet. Kjo fushatë anti-vetting synon të njollosë të gjithë faktorët e përfshirë në reformën në drejtësi”, u shpreh Gambert.
Andi Dobrushi, drejtori i Fondacionit Shoqeria e Hapur për Shqipërinë ka qenë në të njëjtën linjë e tha se në media ka shumë keqinformim mbi reformat, kostot dhe përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ajo që vërehet shpesh në media është raportimi i cekët për atë se çfarë është reforma në vetëvete, cilat do të jenë kostot dhe përfitimet për qytetarin shqiptar, integrimin në BE, etj”, deklaroi Andi Dobrushi.
Kohët e fundit debati për Vettingun është kanalizuar edhe në qëndrimin që po mbajnë forcat politike në vend. Të majtët akuzojnë të djathtët se duke braktisur jetën parlamentare ata po bllokojnë qëllimisht procesin e Vettingut . Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u ka bërë që në krye të herës thirrje shqiptarëve që të aplikojnë në Komisionet e Rivlerësimit, pjesë e ligjit të Vettingut.
(M.D/ Shuplaka)