Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka pasur paraditen e sotme një takim me gazetarët. Mes të tjerave është diskutuar dhe për projektbuxhetin, i cili u miratua në parim në orët e para të ditës së sotme.
Për Vasilin ky është buxheti i armiqësisë mes qeverisë dhe familjeve shqiptare.
“Kemi propozuar që ushqimet e shportës të ulen në 4 herë. Kemi kërkuar që ndaj biznesit të vogël të mos aplikohet TVSH. Gjithashtu, LSI kërkoi që taksa e banesës të jetë zero. Ky është buxheti i armiqësisë mes qeverisë dhe familjeve shqiptare.
Qeveria humbi dje të gjitha mundësitë politike për të orientuar rrugën ku do ecë vendi, nuk ka më para, po i shpërndan tek pasanikët e mëdhenj klientë. Qeveria është kthyer në një institucion që iu lan borxhet pasanikëve, i heq vetes të drejtën të zhvillojë jetën e vendit. Pra është kthyer thjesht në larëse borxhesh. Ne s’kemi nevojë për kryeministër, praktikisht e shihni që bën vetëm humor, është gjithnjë e më shumë gaztor”, tha Vasili.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së theksoi se në 4 vjet, sipas tij, nuk është bërë asnjë vepër shëndetësore.
“Kaluan 4 vjet pa bërë asnjë vepër të re shëndetësore. 100 mln euro që derdhen çdo vit për koncesione mjaftojnë për të bërë dy spitale”, tha Vasili.
(E.K/Faxweb)