Kreu i LSI Petrit Vasili është shprehur se marrëveshja Rama-Basha nuk e ka zhgënjyer aspak LSI-në, por përkundrazi sipas tij është realizuar ajo që LSI priste prej kohësh sepse për këtë ka kontribuar si parti.
“Roli i LSI-së në këtë marrëveshje ishte kryesor pasi marrëveshja erdhi edhe falë insistimit të saj të vazhdueshëm. Meta dhe LSI kërkuan qeveri besimi, ajo ndodhi dhe për këtë nuk ka si të ndihet e zhgënjyer Lëvizja Socialiste për Integrim.
Kryetari i LSI, Petrit Vasili po ashtu ka hedhur poshtë të gjitha hamendësimet se votimi i Ilir Metës si President i Republikës, ka qenë pjesë e një marrëveshje politike me Edi Ramën që në vitin 2013-të.
Këtë deklaratë, Vasili e bëri sonte në emisionin Opinion, ndërsa shtoi se LSI ka qenë promotorja e një aksioni politik për të ndihmuar dy forcat politike në zgjidhjen e krizës.
Ai po ashtu shtoi se koalicioni me PS ka pasur arritjet e veta por se kriminalizimi i shoqërisë prej kanabisit ishte një nga pikat e rëndësishme që rriti “opozitarizmin” brenda koalicionit.
Pjesë nga intervista:
Sipas jush, marrëveshja Rama-Basha tentohet të jetë më e gjerë se ajo që është shfaqur me shkrim?
E kam lexuar marrëveshjen në fjalë të shkruar të zezë në të bardhë e cila është një marrëveshje, e cila me sa thotë, garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe vë disa gardianë, të quajtur kështu nga PD për të kënaqur pasiguritë e saj, që këto zgjedhje do të jenë të rregullta dhe të ndershme. Këtë kam lexuar unë në këtë marrëveshje.
Përse nuk u përfshitë edhe ju në këtë marrëveshje, z. Vasili?
Është fare e qartë. Ne ishim dy kahe të kundërta. Ne ishim në kahun e zgjidhjes së krizës, këto dy partitë e tjera ishin për precipitimin e situatës. Ne mbështetëm zgjedhje që përfshinin t gjitha forcat politike dhe ky ishte një qëndrim parimor që nuk ka të bëjë me mbështetje, ka të bëjë me rregullshmërinë e sistemit. Një sistem i deformuar, një sistem që të çon në asgjëkund. Ne kemi thënë që ky duhet të jetë një sistem që duhet të vijë në shina dhe që të bëhet kjo gjë, duhet të marrë pjesë edhe Partia Demokratike patjetër. Por kjo nuk kishte të bënte me Partinë Demokratike por kishte të bënte me një sistem normal demokratik.
Përse kryeministri dhe kryetari i PS-së mori mandatet e marrëveshjes PS-LSI dhe pa pyetur fare, i bëri pjesë të një pakti tjetër?
Është gjëja më e parëndësishme. Ne e kemi çliruar këtë çështje që në fillim dhe kemi thënë: Mandatet tona të përfaqësimit, cilitdo qofshin, që shërbejnë për zgjidhjen e krizës dhe shpëtimin e vendit nga kaosi dhe nga një qorrsokak me pasoja të paparashikuara, ia vlen ta bëjmë këtë sakrificë dhe i kemi vënë në dispozicion.
A e keni pyetur z. Rama dhe çfarë ju ka thënë për këto mandate tuaja që ishin pjesë e marrëveshjes?
Unë nuk kam shkëmbyer asnjë lloj opinioni me z. Rama për këtë, kam qenë dakord me marrëveshjet, boll që kriza të zgjidhet. Ka pasur një vullnet publik, nuk është i ditës së fundit. Gatishmëria jonë për zgjidhjen e krizës ka qenë e plotë, cilado qoftë ajo që ne duhet të ofronim për këtë gjë, përsa na takonte si LSI. Secili duhet të bënte sakrificat e veta.
Po aktualisht si janë raportet tuaja me z. Rama?
Raporte korrekte. Raporte të partive politike që marrin pjesë në qeverisjen e vendit.
Cilat janë raportet tuaja me Partinë Demokratike dhe me z. Basha?
Asnjë lloj raporti.
A keni qenë ju të rakorduar me z. Basha, me z. Idrizi dhe partitë e tjera në tryezën e 17 majit?
Absolutisht. Ka pasur një qëndrim sinkron, të kahershëm sepse ka qenë publik. Edhe qëndrimi i partisë së z. Idrizi ka qenë në këtë linjë politike por edhe i disa partive të tjera parlamentare, të cilat kanë qenë të gatshme që të hynin në zgjedhje. Por ishte problem i madh hezitimi, vonesat dhe pasiguritë e lidershipit të Partisë Demokratike për të marrë një vendim.
A keni punuar ju pas shpine z. Rama për ta dobësuar atë, për ta vënë vështirësi politikisht?
Ne kemi bërë gjithçka për të shpëtuar Ramën nga kaosi ku do të hynte vendi e ku do të ishte përgjegjësi kryesor nëse do të bënim zgjedhje pa opozitën.
A jeni ju të LSI-së të humburit më të mëdhenj të marrëveshjes Rama-Basha?
Për fat të keq të gjithëve, jemi të fituarit e mëdhenj, pasi futemi në një garë krejtësisht të barabartë dhe e cila vetëm na favorizon.
(M.D/Shuplaka)