Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LSI, kryetari i këtij grupi, Petrit Vasili, është prononcuar mediatikisht për ligjin e Vettingut në polici që ka të bëjë me rivlerësimin e punonjësve të policisë, që pritet të kalohet në Kuvend në seancën e rradhës.
Vasili është shprehur se LSI nuk ka patur paragjykim për ligjin e madje e ka mbështetur kalimin e tij me procedurë të përshpejtuar, duke patur parasysh problemet e policisë si psh inkriminimin e saj në vitet e fundit.
Por Vasili është shprehur se disa nene të ligjit duhen përmirësuar dhe deputetët e LSI kanë patur këtë qasje në komisionet përkatëse ku është diskutuar ligji.
Kjo kërkesë e deputetëve të LSI-së sipas Vasilit ka ardhur për shkak se është vërejtur që bordi që është parashikuar të ngrihet në ligj, është i përbërë në shumicën e tij dërrmuese nga të emëruar të qeverisë, e cila ka rekorde shumë të errëta në lidhje me policinë, “pasi ka ngritur një strukturë të kompromentuar si rasti i ish-ministrit të brendshëm tashmë nën hetim.” – tha Petrit Vasili.
“Kemi propozuar një seri ndryshimesh në mjaft momente të ligjit, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e integritetit të tij. Për fat të keq, reflektimi nga ana e mazhorancës ka qenë inekzistent. Një refraktaritet i plotë.” – vijoi më tej Vasili.
“Grupi ynë parlamentar do të propozojë amendamente që kanë të bëjnë me evitimin e kapjes së procesit nga qeveria për ta shndërruar në një proces instrument të qeverisë dhe riciklues të qeverisë.
Në të kundërt, një proces artificial nuk mund të votëbesohet nga grupi ynë parlamentar.”
Gjithashtu, Vasili shprehu edhe shqetësimin për bllokimin e Reformës në Drejtësi nga mazhoranca lidhur me zgjedhjen e inspektorit të përgjithshëm të drejtësisë. Sipas Vasilit, këshillimi përkatës i emërimeve për ta zgjedhur atë është i ngritur prej kohësh por kjo nismë mbahet e bllokuar prej më tepër se një vit e ca, pasi siç thotë ai, llogaritë për ta kapur atë nuk i dalin mazhorancës.
“Ndërkohë që atje ku ka pasur mundësinë për të bërë kapjen, pa vota dhe në shkelje të kushtetutës, mazhoranca nuk ka hezituar të zgjedhë as prokurorin e përgjithshëm.” – tha Petrit Vasili për mediat.
(E.L/Faxweb)