Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili tha sot në rubrikën “Opinion” se sikurse zgjedhjet, edhe reforma në drejtësi është një nga kushtet kyçe që duhet të përmbushim. Ai u shpreh se kush nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra të rregullta, do të thotë se është praktikisht kundër reformës në drejtësi dhe vettingut.
“Kush minon zgjedhjet minon edhe reformën në drejtësi, të mos garantosh zgjedhje të rregullta do të thotë mos ta duash reformën në drejtësi, vettingun. Zgjedhjet, ju e kuptoni që shkojnë bashkë me reformën në drejtësi”, u shpreh Vasili.
Vasili u shpreh po ashtu se jemi në limitet e fundit të kohës kur mund të krijohet një qeveri e besimit siç u propozua nga LSI dhe shtoi se nëse ka vullnet politik mund edhe të shtyhen zgjedhjet e planifikuara për në 18 qershor.
“Jemi në limitet për krijimin e një qeverie besimi, jemi në krizë kohe, çdo ditë e humbur është një ditë e çmuar. Nëse ka vullnet politik mund të ketë shtyrje të zgjedhjeve”,- tha ai.
Vasili foli po ashtu edhe për qasjen që ka pasur kryeministri Rama ndaj kërkesave të opozitës dhe mënyra se si po i trajton ato.
“Sjellja e tij duhet të shkojë përshtat me institucionin e kryeministrit, ose bëhet burim konfliti ose qetësimi. Kjo sjellje përgjegjshmërie është e detyrueshme, kryeministri nuk ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë”,- u shpreh Vasili. (M.D/ Shuplaka)
Discussion about this post