Kryeministri Edi Rama reagon pas deklaratave të Kryetares së Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi e cila i kujtoi atij sot se Ura e Bunës është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Voltana, ti në Bashkinë e Shkodrës nuk bën asgjë më shumë se sa ç’bëri Lulëzimi në Bashkinë e Tiranës, dmth vetëm fle, dhe në jetë nuk bën asgjë më shumë se sa ç’bën Lulëzimi në çadër, dmth flet po nuk mban përgjegjësi për çfarë thua! Po njësoj si Lulëzimi, ti i jep shumë rëndësi vetes duke menduar se unë jam kundërshtari yt.”, i kundërpërgjigjet Rama kryebashkiakes.
Rama ka qenë i pranishëm sot në një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Shkodër. Ai u shpreh se ka një dashuri të veçantë me Shkodrën për shkak të gjyshes së tij. Ai ka pasur edhe mesazhe për protestën e opozitës ku ka bërë edhe një krahasim mes protestës së opozitës dhe ngujimit.
REAGIMI I PLOTË I RAMËS
SHËNIMI I DITËS
Ja ç’paska postuar sot kryebashkiakja e Shkodrës, pas postimit tim për Urën e Bunës:
Kryeministër, sa herë flet për Shkodrën ti bën autogol! Shumë komode të të kem ty kundërshtar politik. Edhe një grusht njerzish socialistë që të kanë mbetë në Shkodër e dinë se ura e bunës është pronë e Ministrisë se Mbrotjes. Ju vetë, qëllimisht po tentoni të shkatrroni Shkodrën, por nuk ia dolën asnjë, as komunizmi! E ketë lojë e kanë kuptuar të gjithë.
Sa për transparencë, po publikoj shkresën që i kemi dërguar Ministrisë dhe u kemi thënë qe po kontribojmë me fonde, por ato kanë heshtur, sepse duhet që ti të bësh foto! Nëse ke dashuri për Shkodrën atëherë, mos e shkatrro siç po bën për hakmarrje politike. Dhe nëse ke dëshirë te drejtosh Shkodrën në qofsh burrë, hajde pas dy vitesh, konkurro ketu në Shkodër përballë meje!
Faleminderit qe ekziston edi rama!
Ja edhe një përgjigje e mundshme imja për zonjën kryetare:
Voltana, ti në Bashkinë e Shkodrës nuk bën asgjë më shumë se sa ç’bëri Lulëzimi në Bashkinë e Tiranës, dmth vetëm fle, dhe në jetë nuk bën asgjë më shumë se sa ç’bën Lulëzimi në çadër, dmth flet po nuk mban përgjegjësi për çfarë thua! Po njësoj si Lulëzimi, ti i jep shumë rëndësi vetes duke menduar se unë jam kundërshtari yt.?
Por në fakt unë jam thjesht kundërshtari i dembelëve që u punon gjuha jo truri, i parazitëve që u punon goja jo zemra, i karagjozëve që u punon djallëzia jo qytetaria. Nuk e di nëse ti hyn në këto kategori, që kanë populluar politikën shqiptare prej çerekshekulli e këtej, sepse realisht, s’të kam parë ndonjëherë me këtë sy. Por di me siguri që mes Shkodrës e teje, ka po aq lidhje sa ç’kishte mes Lulëzimit e Tiranës.
Kështu që kur ti flet, për si nuk e shkatërroi dot komunizmi Shkodrën, mua thjesht më vjen keq për si po katandiset Shkodra, teksa ti fle dhe sheh ëndrra sikur unë jam kundërshtari yt, meqë ti qenke antikomuniste.
Ndërkohë unë i shkreti thjesht mundohem të të zgjoj nga gjumi, sa herë flas për Shkodrën, sepse më dhimbset Shkodra, jo se dua të hakmerrem për ëndrrat e tua të rehatshme. Po që të mos e zgjas se do jesh duke fjetur, fatmirësisht kam shahit disa kolege të tutë, demokratë që nuk ngjajnë as me Lulëzimin as me ty, nga Tropoja në Përmet! Ata mund të të dëshmojnë, se mua më mjaftojnë projektet dhe pasioni i kryebashkiakëve për qytetin, për të bashkëpunuar me bashkitë pa dallim, e për ta çuar erën e Rilindjes Urbane nga lart në Veri deri poshtë në Jug
Po ti fli, fli e mos e vrit mendjen hiç që Shkodra nuk është repart ushtarak dhe Ura e Bunës është simbol i qytetit jo aset i ushtrisë. E ashtu në gjumë, më jep si gjithmonë përgjigjen “antikomuniste” të radhës, vetëm aman të keqen, mirë që gramatikën e drejtshkrimin në tërësi nuk i njeh, po kujdes, të paktën fjalën konkuro mos e shkruaj me “rr” se kuptohet që je duke gërrhitur.
E meqë ra fjala po këto plehrat nën Urën e Bunës kush i ka, ushtria apo policia? (D.D/Shuplaka)