Deputetja tashmë e zgjedhur e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Flutura Açka i ka dedikuar një status në Facebook të resë Aurora Basha që humbi jetën tragjikisht në aksident ditën e djeshme.
Açka e falenderon të renë për ditët e bukura dhe të vrullshme që ndau me ta gjatë ditëve të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në statusin e saj në Facebook, Açka shkruan gjithashtu se në emër të të gjithë shtabit elektoral, i përcjellin ngushëllime familjes, duke shtuar qoftë hera e fundit që rrugët shqiptare përgjaken kësisoj.
“Pushofsh në paqe Aurora Basha, faleminderit për ditët e bukura e të vrullshme që ndave me në në fushatë. Fytyra jote e paqtë dhe rinia jote e këputur do t’i mungojë auditorëve të universitetit, edhe neve që të njohëm e të deshëm. Në emër të të gjithë shtabit elektoral, i përcjellim ngushëllime familjes. Qoftë hera e fundit që rrugët shqiptare përgjaken kësisoj,” shkruan Flutura Acka.
Rikujtojmë se një ditë më parë një aksident tragjik me dy viktima u shënua në urën e Bubullimës. Makina ku po udhëtonte Xhezmi Oshafi 68 vjeç dhe Aurora Basha 22 vjeçe ra në lumë duke shkaktuar vdekjen e të dy personave që ndodheshin në të.
Fillimisht u tha se dy personat ishin babë e bijë, por më pas u mësua se i ndjeri punonte si taksist dhe po transportonte të renë si pasagjere drejt fshatit Bubullimë.
(E.H/Faxweb.al)