Policia e Korçës ka arrestuar dy persona, pas aksidentit tragjik në punë gjatë ndërtimit të një pallati, ku humbi jetën 36-vjeçari Elvis Josifi, i cili u godit nga koka e vinçit.
Dy personat që janë arrestuar janë përgjegjësi teknik i firmës së ndërtimit si dhe manovratori, që ishte nën drejtimin e vinçit në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike.
Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia arreston në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2020, ku në lagjen nr.9, në një pallat në ndërtim, gjatë punës u aksidentuan dy punëtorë njëri prej të cilëve për pasojë gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
- F.P., 67 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit).
- A.Z. 41 vjeç (me detyrë manovrator).
Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)