I ftuar ditën e sotme në studion e Faxnews ishte diplomati dhe ish-konsulli shqiptar në Milano, Spartak Topollaj.
Ai u ndal të fliste rreth ndarjes nga jeta të Silvio Berlusconit, ngjarje kjo që ka bërë jehonë ditën e sotme. Berlusconi nuk ishte një figurë e panjohur për mediat, përkundrazi ai edhe pse natyrë eklektike do të mbetet gjatë në kujtesën e njerëzve.
“Silvio Berlusconi ishte një personalitet i madh i politikës, biznesit, mediave kulturës dhe sportit. Ai ishte poliedrik, jashtëzakonisht aktiv në jetën e tij deri në ditët e fundit të jetës së tij. Mbetet në kuptimin shqiptar ‘një shpikës i madh’, i dhënë pas progresit dhe inovacionit. Ai e krijoi partinë e tij për tre muaj dhe fitoi zgjedhjet. Si të gjithë personalitete e këtij formati,e dhe Berlusconi ishte në figurë komplekse, ai u sulmua nga komunistët pasi shpalli hapur idetë e tij kundër tyre. Të majtët fatkeqësisht dominonin edhe institucionet italiane dhe postet publike, ndaj karriera e tij u shoqërua edhe kaq shumë me polemika.”, tha Topollaj.
Më tej ai u ndal të diskutonte edhe për takimet që ka pasur me ish-kryeministrin italian, ku e kujton si një personazh tepër spontan, kreativ dhe të natyrshëm. Ish-konsulli u shpreh gjithashtu se imapkti i tij nuk ngelet vetëm në fushën politike, por edhe atë mediatike e kulturore.
“Kam pasur nderi të jem konsulli shqiptar në Milano dhe kjo më ka dhënë mundësinë ta takojë të paktën mbi 10 herë. Berlusconi ishte ai që ishte, nuk vishte petkun askujt, nuk shtirej, madje shumë herë e keqinterpretonin për banalitetin dhe shakatë që bënte. Ishte i natyrshëm, fliste ashtu si i vinte, nuk shtirej. Ishte një lloj aventurieri politik, në natyrën e vetë, tepër spontan dhe i natyrshëm. Kishte dhuntinë e veçantë e të spikaturit të talenteve të reja, shihte potencialin tek shumë gjëra dhe investonte për to”, vazhdoi ai.
Topallaj gjithashtu u ndal të fliste edhe për shëdnetin e ‘Kavalierit’, ku tha se vitet e fundit kishte ardhur duke u përkeqësura edhe pse kishin shpresën se gjërat do të përmirësoheshin për të.
“E prisnim vdekjen e tij, por jo kaq herët. Ai kishte kohë që vuante nga leucemia dhe pneumonia, kjo i dëmtoi shëndetin dhe rezistencën e tij imunitare. Pati një përmirësim të lehtë, por që u shtrua sërish në spital, kjo ishte edhe një goditje finale për shëndetin e tij. Ai qëndroi aktiv deri ditët e fundit të jetës së tij, madje edhe falenderoi italianët për mbështetjen që kanë treguar ndaj tij”, përfundoi Topollaj.
Discussion about this post