Familjarët dhe aktivistë të komunitetit egjiptian vijojnë me dyshimet e tyre në lidhje me vdekjen e Enea Ftojit në komisariatin e policisë në Korçë.
Të ftuar në studion e Fax News kanë qenë sot Andonia Naço, e afërme e viktimës dhe Ervis Çota, kryetar i shoqatës së të rinjve të komunitetit egjiptian.
Sipas të afërmes familjes i është mbajtur e fshehtë për dy ditë vdekja e të riut, dhe teksa hynë me forcë në morg, ata kanë parë shenja dhune në trupin e viktimës.
“Është mbajtur një ditë e gjysmë i vdekur dhe familja nuk ka ditur gjë. Vemë në gjyq, dhe thuhet që Enea Ftoj ka ndërruar jetë. Vinin në Polici këta të komunikonin me djalin, Policia e kishte çuar në morg pa njoftuar familjen.
Djali e kishte fytyrën plot me gjak, trupin e kishte plot me vula. Enea i kishte thënë nuses së tij që po e rrihnin dhe i bënin gjilpëra. Të arrestohen ata që kanë qenë në turn, janë tre policë që e kanë ushtruar dhunën.
S’ka punë që të shkojnë të punojnë, nëna ka kaluar në depresion. Dy muaj kishte që kishte dalë nga burgu, nuk u ngop me fëmijët e tij, duam që të na zbardhin drejtësisë.
Nuk kanë se me çfarë të mbulohen, vajzën e vogël e ka tetë muajshe, atje kanë bërë një masakër, është gjynah nga zoti. Ne kemi hyrë me forcë në morg”, është shprehur e afërmja e Eneas.
Ndërkohë Çota u shpreh se ata kanë shkuar sot në Ministrinë e Brendshme, ku tha se askush nga titullarët e këtij institucioni nuk i kanë pritur. Ata thonë se vëllai i Eneas ka çuar materialet video dhe fotot në institucion.
(E.K/FAXWEB.AL)