Pas humbjes së vajzës së tyre, kanë reaguar familjarët e Ketjona Ibrahimit. Sipas prindërve, Ketjona u operua dy herë nga mjekët për dy gjëra krejt të ndryshme.
“Në fillim na thanë se i kishin plasur vezoret, dhe pastaj e operuan nga tëmthi. As ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Në reanimacion vajza nuk reagonte pothuajse fare. Nuk na thanë se kush ishte mjeku që do bëjë operacionin”, thanë familjarët e Ketjonës për Balkanweb.
“Askush nuk u interesua për të pas operacionit”, kanë shtuar më tej ata.
Ditën e sotme lajmi për vdekjen e 18 vjeçares Ketjona Ibrahimi në spitalin Kirurgjik të Elbasanit tronditi jo pak. Ndërkohë që zbardhet dhe procedura mjekësore që është ndjekur në rastin e kurimit të vajzës.
Sipas shefit të spitalit kirurgjik në këtë qytet, Alban Hoxha, e ndjera ka qenë e shtruar fillimisht në spitalin e Gramshit ku ka manifestuar dhimbje barku e të vjella. Pasi ka marrë mjekimet e para atje dhe nuk ka pasur përmirësime, është dërguar në urgjencën e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, shkruan infoelbasani.al.
Në orët e para të mëngjesit nga urgjenca, 18 vjeçarja është dërguar në kirurgji për një konsultë. Atje është dyshuar për hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Pas kryerjes së operacionit nuk është gjetur crregullim në këtë pjesë të trupit, por në hapësirën e barkut është konstatuar sasi lëngu, thotë dr. Hoxha.
Për këtë qëllim është kërkuar ndihma e mjekut kirurg. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe e ka futur në reanimacion. Nga ora 14 e pasdites deri në orën 20 vajza ka reaguar mirë dhe ka komunikuar edhe me familjarët. Por në këtë orë ajo ka pësuar arrest kardiak dhe me gjithë ndërhyrjen nuk ka mundur të shpëtojë.
Pas vdekjes ajo është dërguar në morg dhe i është nënshtruar autopsisë. Sipas të dhënave të para të ekspertëve shkak për vdekjen ka qenë tromboembolia pulmonare, ose mpiksja e gjakut në mushkëri, një patologji kjo e shprehur në shumë pacientë.
Megjithatë fjalën përfundimtare do ta japin ekspertët mjeko-ligjorë në Tiranë.
Burime spitalore pohuan se mjekja J. Maksuti është duke vijuar normalisht punën dhe vetëm pas përgjigjes së ardhur nga ekspertët do të vendoset nëse mban apo jo përgjegjësi për rastin në fjalë. (D.D/Shuplaka)