Ilir Bejtja, zv.ministër i infrastrukturës dhe Energjisë gjatë një interviste për “Fax News” ka folur për ngjarjen e rëndë në Bulqizë ku pas 5 ditësh u gjen pa jetë trupi i minatorit, Muharrem Plaku.
Bejtja gjatë fjalës së tij ka fajësuar minatorin 61-vjeçar i cili sipas tij nuk kishte respektuar rregullat e punës duke gërmuar në një zonë të ndaluar.
Zv.ministëri zbuloi disa detaje nga aksidenti, ndërsa theksoi se vonesa për të gjetur trupin e të ndierit erdhi si pasojë e vështirësisë për të pastruar inertet duke rrezikuar edhe punëtorët e tjerë.
“Aksidenti është tipik dhe vjen nga mosrespektimi i rregullave nga ata që punojnë me ambicjen për të mbledhur sa më shumë minerale. Ky është një mineral i lehtë që bie mbi vete dhe lehtësisht, ndodh që shembet tavani menjëherë. Viktima ishte duke gërmuar në një zonë të markuar me kryq, që do të thotë se nuk lejohet të punosh aty për shkak të rrezikshmërisë së lart. Nuk kishte urdhër pune për të gërmuar në këtë zonë, viktima që është edhe brigadieri ka hipur për të ndihmuar mineralin që të rrëshqasë poshtë.
Brenda galerive ka zona me kryqe që quhen me rrezik të lartë që nuk duhet të punosh. Mund të ketë shumë mineral por ja që ndodh një aksident ky është rasti konkret që ka ndodhur. Minatori është munduar të fshihet në një xhep të vogël por shembja ka qenë shumë e madhe. Pas disa ditësh duke pastruar inertet e gjetëm edhe trupin.
Vonesa në gjetjen e trupit? Duhet ta hapje të gjithën dhe të gjeje trupin, sa herë gërmonim kishte vazhdimisht shembje dhe po rrezikonim edhe me punëtorët e tjerë. Ka një protokoll teknik që për cakton vendin ku do të gërmosh. Aksidenti lidhet me mosrespektimin e protokolleve teknike. Ne jemi të priture dhe e kemi të ndaluar për të mos dhënë leje për shfrytëzimin e tavaneve apo kolonave, punohet vetëm në ballë që mos ndodhë asgjë tjetër. Ndonjëherë punëtorët nuk respektojnë rregullat dhe ngelin të vdekur, nuk presin aq sa duhet por shpejtojnë. Kjo është industri e rëndë prandaj kujdesi nga punonjësit duhet të jetë që të zvogëlojnë rrezikun”, tha Bejtja.
Minatori Muharrem Plaku u gjet i vdekur pas 5 ditësh kërkime në një nga galeritë private të kromit në Bulqizë është dërguar pranë familjarëve të tij për të kryer ceremoninë mortore.
5 ditë kërkime në Bulqizë, gjendet trupi i minatorit Muharrem Plaku