Pas ndarjes nga jeta të shqiptarit Florenc Beqiraj një ditë më parë në një spital në Francë, ka reaguar edhe reperi i njohur Noizy. Këngëtari ka hedhur akuza ndaj njerëzve me pushtet në Shqipëri dhe thotë se ndihet i tradhtuar nga ata, pasi nuk i erdhën në ndihmë Florencit.
“Vllai jonë Florenci tashmë ndërroi jetë, ndihem i tradhtuar nga shumë njerëz me pushtet në Shqipëri, shpirti në paqë bro” , shkruan ai në Instagram.
Kujtojmë se Florenc Beqiraj nga Shkodra 23 vjeç qëndroi për disa ditë në koma në një spital të Marsejës. Ambasada shqiptare në Francë u shpreh se ka dyshime se ai ka tentuar vetëvrasjen duke u varuar në burg. Sot në reagimin e saj ambasada shqiptare në Francë u shpreh: “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit”.
Reagimi i plotë i Ambasadës:
Duke u nisur edhe nga interesimi i veçantë mbi rastin e shtetasit zotit Florenc Beqiraj, i cili ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike në spitalin Nord të Marsejës (Francë), Ambasada e Shqipërisë në Francë njofton me hidhërim të thellë se, sot pasdreke, ai është deklaruar i vdekur nga autoritetet spitalore franceze. Për këtë gjë, janë njoftuar familjarët e të ndjerit, përfaqësuesit ligjorë të familjes, dhe Ambasada.
Ambasada e Shqipërisë, e cila që prej njoftimit të ditës së parë e ka ndjekur nga afër rastin e të ndjerit Beqiraj, në kontakt me autoritetet policore dhe gjyqësore-hetimore dhe me ato mjekësore-spitalore të qytetit të Marsejës, si edhe me të afërmit e tij, i shpreh familjes dhe të afërmve të të ndjerit për këtë humbje të të dashurit të tyre, ngushëllimet e saj të sinqerta, si edhe ato të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Duke vazhduar ta ndjekë nga afër çështjen si me autoritetet policore dhe gjyqësore franceze, në pritje të përfundimit të hetimit zyrtar lidhur me rrethanat e vdekjes së të ndjerit Florenc Beqiraj, ashtu edhe me përfaqësuesit ligjorë të familjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit. Ajo risjell gjithashtu në vëmendje se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë është prioritet kryesor i veprimtarisë së qeverisë, e më posaçërisht i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i përfaqësive të saj në botë. (J.V/Faxweb)