Ajri i ndotur po bëhët shkaktar i vdekjes së shumë qytetarëve të Kosovës, pasi shkalla e ndotjes është alarmante përreth termocentraleve të KEK-ut.
Ajri i rëndë që mbretëron ambientin e fshatit Dardhishtë të Obiliqit, shumë afër termocentraleve të KEK-ut, ka bërë që disa fëmijë janë prekur nga sëmundjet kancerogjene.
Në moshën 62-vjeçare, Imer Tërnava, i cili jeton shumë afër termocentraleve të KEK-ut, apelon që shteti të reagojë dhe të ndërmarrë masa për mbrojtur ajrin nga ndotja, që të tjerët të mos kenë fatin e tij.
“Kam 44 vjet që punoj këtu dhe jetoj, pra gjithë jetën kam thithur këtë ajër.
Nuk kam vetëm unë dyshime, por dhe mjekët kur më diagnostikuan me një lloj të kancerit përmendën edhe pluhurin e termocentraleve si një nga shkaktarët e sëmundjes”, thotë Tërnava.
Gjatë rrëfimit për “Zërin” ai tregon se gjysmën e mushkërive që ia kanë hequr për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në pjesët tjera të trupit.
Për diagnostifikim dhe operim, ai thotë të ketë shpenzuar 10 mijë euro, ndërsa çdo muaj paguan deri në 100 euro e më shumë terapinë, që e ka të obliguar ta marr. (E.K/SHUPLAKA)