Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj inspektoi fillimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit në Rr. “Osma”, ku theksoi se puna do të vijojë me ritme të shpejta gjatë gjithë verës.
“Kjo verë ka qenë e gjitha në punë për Bashkinë e Tiranës. Ky është një investim i cili po bëhet me forcat e bashkisë, një mënyrë për të treguar se kur bashkia menaxhohet në mënyrë nikoqire, megjithëse taksat i kemi modeste, megjithëse shpenzimet i kemi të larta, arrijmë të bëjmë gjëra që nuk janë bërë prej shumë vitesh. Ndaj mezi pres që t’i shkojmë kësaj pune deri në fund dhe deri në fund të verës, kur edhe banorët të jenë kthyer nga pushimet, të kemi mbaruar Rr. ‘Osma”, tha Veliaj.
“Më vjen mirë që tani kemi kaluar në nivel kapilar dhe ashtu siç premtuam në fushatë, që do të ktheheshim për të mbajtur fjalën, siç kemi punuar në qendër, do të fillojmë të punojmë edhe në periferi. Punuam nga ana tjetër e autostradës, te Rr. “Herman Gmeiner”, pastaj bëmë lidhjen me krahun tjetër të Saukut, rreth e qark Pallatit të Brigadave, dhe tani po punojmë në krahun tjetër të Rrugës së Elbasanit”, tha Veliaj, duke siguruar se ky ritëm do të mbahet në çdo lagje të kryeqytetit, duke ndërhyrë çdo ditë për një punë të re.
“Dua t’u kërkoj bashkëpunim të gjithë banorëve. Sa herë që qytetarët shohin një trotuar të ngushtë, do të thotë se na është refuzuar bashkëpunimi nga banori që ka shtëpinë aty ngjitur. Sigurisht, me procedura shpronësimi apo me sherre në komunitet asnjë nuk do që t’i futet këtyre andrallave, ndaj edhe kërkoj bashkëpunim”, u shpreh ai.
Veliaj deklaroi se përfitues nga lirimi i këtyre hapësirave janë vetë pronarët, jo vetëm sa i përket rritjes së vlerës së pronës së tyre, por edhe të zhvillimit të saj.
“Një shtëpi me trotuar, ku fëmija nuk del drejt e në rrugën e makinës, është një shtëpi më e sigurtë. Ndaj të parët që përfitojnë janë ata vetë. Sigurisht, edhe komuniteti ka ku të ecë.
Ne nuk do të jetojmë 100 vjet, do të jetojmë mjaftueshëm për të lënë një emër të mirë në komunitet dhe secili mund ta bëjë këtë, jo duke qenë ndonjë zyrtar i lartë, por duke ofruar qoftë edhe hapësirën e avllisë së vet që të ketë mundësi për të ndërtuar një trotuar”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në këtë lagje do të nisë edhe ndërtimi i këndit të lojërave ku fëmijët do të kenë hapësirën e tyre ku mund të luajnë në mënyrë të sigurtë.
Deputeti i PS, Besnik Baraj vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të ndërhyrë në çdo lagje. “Siç po provohet dita ditës, Bashkia e Tiranës është në krye të punëve, si para fushatës edhe pas fushatës. Unë jam i bindur, ashtu siç po bëhet kjo rrugë, do të bëhen edhe rrugë të tjera. Padyshim komuniteti do ketë një mundësi të shikojë dhe të vlerësojë atë shërbim që i jep bashkia komunitetit”, tha Baraj.