Pas gjithë vëmendjes mediatike që tëhoqi rikonstruksioni i Pazarit të Ri, gazetari Sokol Shameti akuzon kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, se ai po merr meritat për një punë që nuk është e tija.
“Paratë i jep një fondacion amerikan. Punimet i kryen një kompani private ndërtimi. Mallrat importohen nga Maqedonia dhe Greqia. Ndërsa i habituri se si ka mundësi që të gjithë besojnë se këto i bëri vetë ai, është Supermeni me presh. Pra, ai po quan të vetin një investim që është i dikujt tjetër dhe nuk thotë se nëse gjithë investimet këtu po i bëjnë të tjerët, atëherë ku po i çon paratë që na mbledh neve me taksa?”, shkruan Shameti.
Në fakt ditën e djeshme Erion Veliaj u shfaq mjaft krenar në inagurimin e ambjenteve të Pazarit të Ri. Në fjalën hapëse ai nuk mungoi që të shprehte me superlativa edhe vlerësimet për punën e bërë nga kryeministri Rama në krye të Bashkisë. Veliaj përmendi gjithashtu edhe një artikull që kishte shkruar prestigjozja ‘’The Economist’’ për Tiranën.
REAGIMI I PLOTË I SHAMETIT
“Paratë i jep një fondacion amerikan. Punimet i kryen një kompani private ndërtimi. Mallrat importohen nga Maqedonia dhe Greqia. Ndërsa i habituri se si ka mundësi që të gjithë besojnë se këto i bëri vetë ai, është Supermeni me presh.
Pra, ai po quan të vetin një investim që është i dikujt tjetër dhe nuk thotë se nëse gjithë investimet këtu po i bëjnë të tjerët, atëherë ku po i çon paratë që na mbledh neve me taksa?
Po quan punë të vetën, një punë që bëjnë të tjerët dhe nuk thotë se meqenëse s’ka punuar, për çfarë e ka merituar pagën që e merr nga lekët tona?
Së fundi, gjithë kjo pompë e shpenzim për të reklamuar një arritje si arritje, na provon aksiomën e vjetër se ‘një arritje nuk ka nevojë për reklamë. Dhe po pati nevojë për reklamë, atëherë ajo nuk është një arritje’.” (D.D/Shuplaka)