Pasi të gjithë e pamë me zë dhe me figurë, sesi Edi Rama urdhëronte Erion Veliajn që të lyente shkallët në 4 e 30 të mëngjesit, kryebashkiaku i Tiranës ka bërë përpjekjet e tij për të ndryshuar atë që të gjithë e panë në TV dhe në të gjitha mediat online.
Gjatë një inspektimi të përbashkët me Ramën ai la të kuptohet se kryeministri iu drejtua dikujt tjetër, që ishte administrator i pallatit, ndërkohë që në videon e pak ditëve më parë, Rama drejtonte gishtin mbi Veliajn, ndërsa ku i fundit pohonte ‘’po shef, ok shef’’ (videoja poshtë).
Por duke mos u mjaftuar me këtë ai është shfaqur me kërkesën e vet edhe te emisioni i Luana Vjollcës për të përgënjeshtruar atë që të gjithë panë me sytë e tyre se shefi i kishte thënë që t’i lyente shkallët që të nesërmen në orën 4 e 30 të mëngjesit.
I pyetur: në “Shiko Kush LUAN”, nga fëmijët, se a i leu shkallët e pallatit që i tha kryeministri Rama, Veliaj u përgjigj duke thënë se kryeministri nuk e kishte pasur me të, por me administratorin e pallatit, i cili i leu brenda asaj dite.
“Ajo kërkesë nuk ishte për mua në fakt po ishte për administratorin e pallatit dhe ai i ziu e leu që atë ditë, jo në 4:00 të mëngjesit”, tha Veliaj, duke na çuditur edhe njëherë tjetër me lehtësinë për ta bërë të bardhën të zezë, dhe anasjelltas.