Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia duke reaguar në lidhje me pretendimet e prokurorisë ndaj tij për caktimin e masës arrest me burg. Në një mesazh publik, ai e konsideron të padrejtë argumentimin e Prokurorisë për arrestimin e tij, duke e cilësuar si “fëminor”.
“Dy ditët e fundit kam zbërthyer arsyetimin absurd se duhet të rri në burg, nga frika se mund të arratisem apo të prish prova. Po çfarë provash?! Nga lodrat e fëmijëve tek postimet në Instagram, gjithçka është në dorë të hetuesve,” shprehet Veliaj.
Ai ironizoi vendimin e Gjykatës, duke krahasuar situatën e tij me raste të tjera: “Zeni, që poqi të gjallë 26 veta, dhe babi i Zenit, që vrau 4 veta, nuk paraqesin rrezikshmëri, ndërsa unë, që mbjell pemë, hap korsi biçikletash dhe ndërtoj shkolla, duhet të jem në burg.”
Veliaj gjithashtu reagoi ndaj pretendimit se nuk ka shfaqur pendesë: “Pendesë nga çfarë? Unë ende nuk kam akuzë! Ç’është kjo logjikë sigurimsash? ‘Pendohu sa nuk është vonë, se të kalbëm në burg’.”
Reagimi i kryebashkiakut Erion Veliaj:
Pendohu qen!
Përshëndetje me mall për secilin prej jush e mirënjohje për mbështetjen.
Dy ditët e fundit kam zbërthyer arsyetimin fëminor se duhet të rri në burg, se mos iki nga vendi kur jam kthyer 3 herë, dhe se mos prish provat kur, nga lodrat e fëmijëve tek statuset e Instagram-it janë në dorë të Olsit e Sametit.
Argumenti i tretë dhe i fundit i Ols Banit pse duhet të jem në burg është në faqen 278 të vendimit, ku citoj (mos qeshni ju lutem):
“Personi paraqet një rrezikshmëri shoqërore mjaft të lartë… nuk ka shfaqur në asnjë moment shenja të ndonjë reflektimi… Gjykata vlerëson se masa më e përshtatshme është arrest me burg”.
Po mor po, mos u habisni, e zeza mbi të bardhë!
Pra, Zeni, që poqi të gjallë 26 veta, dhe babi i Zenit, që vrau 4 veta me plumba në mish, nuk paraqesin rrezikshmëri. Kurse ai që mbjell pemë, hap korsi biçikletash, ndërton shkolla e parqe, duhet futur në burg se ka rrezikshmëri.
Fiks stereotipi se po punove, luftove e le vepra që prodhojnë fitore të skuadrës tënde, do sulmohesh gjer në dorëzim, sa të thuash “s’ka fat i miri”.
Epo, unë këtë nuk e pranoj! E refuzoj me neveri. Ky s’mund të jetë një vend ku, kush vret është i lirë, e kush punon është në burg. Kjo nuk është drejtësi!
Dhe më qesharakja: S’paskam shfaqur pendesë! Po pendesë nga çfarë? Unë ende nuk kam akuzë! Ç’është kjo logjikë sigurimsash?
“Pendohu sa nuk është vonë, se të kalbëm në burg”.
Ky është turp, por jo drejtësi!
Paçi një ditë të mbarë e plot mirësi.