Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përuruar ditën e sotme një rrugë të re në zonën e Saukut. Veliaj tha se investimet do të prekin çdo zonë të kryeqytetit.
“Sot nuk jemi në Bllok, por po të shohësh rrugën si është shtruar, asfaltuar, si janë bërë kanalizimet, trotuaret, si janë vendosur stolat, si janë mbjellë ullinjtë dhe bari, do të thotë që po punojmë me të njëjtin standard në çdo cep të Tiranës.
Çdo rrugë, çdo trotuar, çdo stol, pemë e mbjellë rrit vlerën e gjithë banorëve, e shtëpive dhe gjithë lagjes. Sot kemi rrugë të reja në Saukun e Vjetër, ku vetëm emri ka mbetur i tillë sepse çdo gjë tjetër po investohet e re, duke nisur nga palestra e shkollës “Ibrahim Brahja”, deri tek investimet në infrastrukturën rrugore”, tha Veliaj.
“Duke qenë se qeveria ka ecur shpejt me procesin e legalizimit, tani Bashkia ka radhën me procesin e urbanizimit. Kjo është e vetmja mënyrë se si ecim përpara. Kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj vere ndërhyrje në mbi 80 rrugë në të gjithë zonën e Tiranës periurbane, pra jashtë zonës së qendrës, dhe besoj se në shtator, kur shumë qytetarë të kthehen nga pushimet, do të gjejnë një situatë krejt tjetër”, deklaroi kryebashkiaku.
“E di që njerëzit janë dyshues, kanë parë politikanë që vijnë për fushatë, pastaj me të mbaruar fushata zhduken e i harrojnë njerëzit. Me këtë dua të provoj se nuk i harrojmë njerëzit. Për ne është çdo ditë fushatë, çdo ditë punohet sikur të ishte fushatë. Mënyra më e mirë për të ecur përpara është të shfrytëzojmë gjithë këtë kohë gjatë verës, kur njerëzit largohen me pushime, që të kemi mundësi të shtrojmë asfalt, të investohemi në infrastrukturë. Besoj se kjo është mënyra me mirë se si mbajmë premtimet që kemi dhënë, për të rritur standardin e jetesës në komunitet”, tha Veliaj.
“Dua t’u kërkoj të gjithë banorëve t’i mirëmbajnë, është shumë e rëndësishme që nga ky moment, secili të tregojë kujdes për mënyrën se si mirëmbahet ky territor. Ne duam që kjo të ketë një jetëgjatësi sa më të lartë, kësisoj edhe banesat përreth të kenë një vlerë sa më të lartë në treg, sepse vetëm kështu mundet që gjithë qyteti të ruajë një pamje dinjitoze, por sigurisht që edhe investimet të kenë duk dhe të mund të vijojmë me një lagje tjetër”, u shpreh Veliaj.
(E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post