Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën në Bashkinë e Tiranës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për shkelje kushtetuese dhe manipulim të pushtetit.
Sipas Berishës, Veliaj ka kthyer qelinë e tij në një zyrë bashkie, duke vijuar të firmosë dhe vulosë dokumente sikur të ishte ende në detyrë. “Ky është një skenar që as në filma nuk do mund të ishte i tillë. Sesi ndodh kjo, e di vetëm ‘regjisori’ i këtij absurdi”, tha ai.
Në qendër të polemikës është delegimi i firmës së Veliajt. Berisha denoncoi faktin se brenda pak ditësh janë dhënë dy urdhra të ndryshëm, ku fillimisht Edi Rama i besoi firmën Anuela Ristanit, ndërsa më pas Veliaj firmosi nga qelia për ta deleguar atë tek Sara Goxhaj.
“Nëse Anuela Ristani nuk është njeriu i Ramës, si pranon një urdhër antikushtetues nga ai? Sipas Kushtetutës, vetëm Këshilli Bashkiak ka tagrin të vendosë se kush do drejtojë bashkinë”, theksoi Berisha, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucionit dhe injorimin e rregullave ligjore.