Gjatë analizës vjetore të ndërmarrjes nr.3, Erion Veliaj tha se në këto vite që ai është në krye të bashkisë së Tiranës, nga 7 shkolla që kishin një sistem ngrohje, sot kanë plot 72.
“Në letër ky qytet i kishte gjërat vaj, por në realitet nuk kishte lidhje.
Duke filluar nga kryetari i bashkisë, dhe duke vazhduar te një punëtor i thjeshtë, e di shumë mirë se çfarë problemesh ka qyteti.Të paktëm tanimë dimë se ku konstatojnë problemet dhe kemi filluar punën për t’i dhënë zgjidhje atyre.
Bashkia e re merret me gjithë mirëmbajtjen e shkollave dhe çerdheve, por në thelb i ngjan një familjeje. Nëse gjithë familja nuk punon për shtëpinë ajo rrënohet. Qyteti ishte bërë si një shtëpi e rrënuar. Kur e di ku pikon çatia dhe nuk bën asgjë për ta rregulluar. S’jemi një familje që ia bën qejfin të gjithë anëtarëve të familjes, dhe ne nuk mund t’i kënaqim dot të gjithë, megjithatë po bëjmë një diferencë.
Ne nuk po mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për brezat e ardhshëm. Keni dëgjuar të rinj që flasin në media apo në ambiente publike me një fjalor të papërshtatshëm. Ku janë rritur këta që flasin me këtë lloj fjalori? Ata janë rritur në këto shkolla pa kushte, pa dashuri, pa mësim, pa tualet, pa mjetet e nevojshme. Sepse ku je rritur pa pikën e ngrohtësisë dhe të dashurisë, normalisht do të përfundoje kështu.
Besoj se ky vendim i bashkisë për të rikonstrukruar shkollat dhe çerdhet, ishte vendimi i duhur, që pavarësisht se ne nuk do ia shohim hajrin, gjenerata tjetër do ia shohi hajrin. Sot edhe skeptiku dhe ciniku dhe kundërshtari ynë më i madh është dorëzuar sepse ka përballë një qytet të organizuar dhe me një fytyrë tjetër. Kur ne erdhëm në krye të bashkisë, vetëm 7 shkolla kishin një sistem ngrohje, sot kanë 72. E lanë Tiranën me 7 kaldaja funksionale. Ne sot jemi 10 herë më mirë. Ne i kaluam 10 herë me një vit, por tani do krahasohemi me veten që të bëjmë akoma më shumë.”, tha Veliaj. (D.D/Shuplaka)