Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua maturantëve mbrëmjen e djeshme në festën e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku u dorëzoi edhe një dhuratë simbolike, paketën e librave të shkrimtarit Dritëro Agolli, me qëllim që të rinjtë të njihen më mirë me disa mentalitete të Shqipërisë.
Gjatë festimit me ta, ai ndau edhe eksperiencën e tij si maturant, duke u rikthyer në ’98-ën. Veliaj rrëfeu përpara maturantëve se nëse do i duhej të zgjidhte mes një muaj fushate elektorale dhe provimeve të Maturës, nuk do të zgjidhte aspak ankthin e tmerrshëm që provimet të shkaktojnë.
“Me kujtohet viti kur unë mbarova maturën, ishte viti ’98, ishte një kohë shumë e largët, kështu që lali Eri nuk është aq i ri sa ç’duket, por di t’u them që ai ankthi i provimeve të maturës ishte aq i tmerrshëm saqë edhe sot po të më pyesë njeri, je gati të bësh edhe njëherë provime mature apo të bësh edhe 1 muaj fushatë? Më mirë zgjedh fushatën se tmerrin e provimeve të maturës. Por ju e paskeni marrë me shumë sportivitet dhe më vjen mirë që sot jeni këtu”, u shpreh Veliaj.
(XH.A/SHUPLAKA)