Në 4 muajt e parë të 2019, që është vit elektoral bashkitë kanë hapur qesen duke dhënë një numër të madh tenderash. Sipas të dhënave të “Open Procurement Albania” nga Janari deri në Maj janë dhënë 6.24 miliard lekë (të reja) më shumë se gjatë 2018. Pjesën më të madhe të tenderave i ka dhënë Bashkia e Tiranës. Në total 4.4 miliardë lekë, ose ndryshe 1 Miliard lekë (të reja) më shumë se e njëjta periudhë e vitit kaluar.
Pas Vendimin të Këshillit të Ministrave për të ndaluar çdo procedurë të re Prokurimi Publik për 61 Bashki gjatë periudhës zgjedhore, organizata e pavarur “Open Procurement Albania” ka bërë një analizë të detajuar të tenderimeve publike nga 61 bashkitë e vendit.
Nga Janari 2019 deri në datën 7 Maj njësitë e qeverisjes vendore kanë njoftuar tendera me vlerë 15 800 362 077 Lekë (Pesëmbëdhjetë. Tetë Miliard) Lekë të reja. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë shpallur tendera nga të njëjtat institucione prokuruese, me vlerë totale prej 9 561 478 966 Lekë (të reja).
Diferenca prej më shumë se 6.24 miliard lekë tregon që bashkitë kanë proceduar më herët për të përmbyllur prokurimet për fonde të parashikuara për vitin 2019. Të dhënat krahasuese bëhen të mundura përmes filtrave të kërkimit të databazës.
Ky trend me rritje nga një periudhë vjetore në tjetrën spikat për vlera të larta të prokurimeve në muajt e parë të vitit zgjedhor. Në total gjatë viti 2019 janë njoftuar 2 557 tendera. Nga të cilët me vlerën mbi 100 milion janë 20 të tillë. Të skanuar me RedFlag (flamur i kuq) për parregullsi konkurrimi dhe pabarazi në garë janë 310 tendera. Pra 12 përqind e procedurave të realizuara për këtë periudhë të 2019-s rezultojnë me risk dhe problematika.
Nga të gjitha bashkitë, Tirana rezulton se ka njoftuar në 2019 (periudha 1 janar deri 7 maj) 1 052 528 022 Lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit kaluar. Gjatë këtij harku kohor (4 muaj e 1 javë) bashkia Tiranë ka njoftuar tendera me vlerë totale fond limit 4 433 554 405 Lekë (katër. katër miliard lekë). Në të njëjtën periudhë të 2018 kishte njoftuar tender me vlerë fondi limit 3.3 miliardë lekë. Në këto të dhëna janë të përfshira edhe tendera të shoqërive publike që zotërohen plotësisht nga Bashkia.
Tendera me vlerë mbi 100 milion lekë në këtë periudhë të 2019-ës janë gjashtë më shumë se në 2018. Me RedFlag nga kjo Bashki janë të skanuar 44 tendera.
Durrësi ka në periudhën 1 janar deri 7 maj 2019, tender të njoftuar me vlerë fondi limit 1 194 686 598 Lekë. Kjo vlerë është gati dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë në 2018 kur vlera fond limit e tenderave ishte 631 652 746 lekë. Të markuar me RedFlag në vitin 2019 bashkia Durrës ka 18 tendera.
Bashkia Kamëz në 1 janar deri 7 maj 2019 ka njoftuar tendera me vlerën fond limit 1 084 224 289 Lekë , një vit më parë bashkia Kamëz në të njëjtën periudhë 1 janar deri 7 maj kishte njoftuar tender në vlerën fond limit 84 775 303 Lekë. Ndryshimi i dy periudhave kohore është tepër i theksuar. Tender të skanuar me RedFlag janë 10 tendera.
Bashkia Berat ka gjithashtu diferencë të lartë në vlerat e periudhës 2019 me 2018. Konkretisht nga 1 janari 2019 deri në 7 maj, bashkia Berat ka proceduar duke njoftuar tender me vlerë fond limit 781 242 078 lekë ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2018 vlera fond limit ishte 200 740 422 Lekë.
Elbasani ka njoftuar tendera me vlerë më të vogël në periudhën janar deri 7 maj 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Korça ka njoftuar dhe ka proceduar në periudhën janar deri 7 maj 2019 tendera me vlerë 580 501 656 Lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë vlera e tenderimeve ka qenë 207 592 520 Lekë.
Shkodra është një bashki ka gjithashtu rritje të tenderimeve në fillim vitin zgjedhor. Nga 1 janari deri më 7 maj 2019 bashkia e Shkodrës ka njoftuar tendera me vlerë 519 412 943 Lekë. Një vit më parë e njëjta periudhë por jo vit zgjedhor janë njoftuar tender me vlerë 368 663 758. Shkodra ka një numër prej 16 tenderësh të proceduar nga janari 2019 deri në maj, që janë të skanuar me RedFlag, risk për parregullsi dhe pabarazi në garë.
Vora është një bashki që ka proceduar duke njoftuar në 1 janar deri 7 maj 2019 tender me vlerë 506 389 718 lekë. Një vit më parë, jo vit zgjedhor në të njëjtën periudhë kohore Bashkia Vorë (dhe njësitë e vartësisë) kishin njoftuar tenderime me portofol prej 372 022 528 Lekë.