Punimet në sheshin “Veliera” në Durrës kanë ngjallur debate të forta në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të qytetit.
Teksa mbledhja po shkonte drejt fundit, kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Armand Teliti e quajti kriminale realizimin e projektit, raporton BW.
Teliti i bëri thirrje Prokurorisë të nxjerrë përgjegjësit sipas tij të shkatërrimit të pasurisë arkeologjike.
Por kreu i Bashkisë së Durrësit, Dako tha se “Veliera është një projekt madhor për qytetin”.
Një velë prej betoni ka nisur të ndërtohet pranë hyrjes se lashtë të Dyrrahut nga Bashkia e Durrësit. Për ndërtimin e Velierës prej betoni kanë nisur gërmime intensive me mjete të rënda, ekskavatorë. Nisja e gërmimeve është pritur me protesta nga qytetarët e Durrësit. Reagime kundër ndërtimit të objektit kanë nisur të bëjnë edhe disa specialistë të arkeologjisë.
Projekti i quajtur italisht Veliera është paraqitur nga Bashkia e qytetit të Durrësit dhe ka si autorë arkitektë italianë. Ky projekt në shqip me emërtimin “Vela” parashikon ndërtimin e një strukture në formë vele me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë që mbahet në ajër me katër këmbë konstruktive. Ajo nuk ka ndonjë funksion të posaçëm utilitar social apo ekonomik. Është një strukturë betoni me karakter thjeshtë dekorativ – një skulpturë masive e stilizuar gjeometrike në formën e një vele anijeje.
(M.D/ Shuplaka)