Vizitën e policisë në shtëpi, Sali Lushaj nuk e kishte pritur pas protestës para parlamentit, ditën e hënë. Madje ai thotë se e priti me habi telefonatën e të birit, këngëtarit me pseudonimin Stresi.
“Jemi shpërndarë normalisht dhe qetësisht. I kam hipur makinës, kam ardhur në shtëpi, kam ngrenë drekë. Pastaj kam dalë me një mikun tim për të pirë një kafe. Gjatë kësaj kohe më ka marrë në telefon djali, Stresi. Më thotë që ka ardhur Policia te shtëpia. Unë gjithnjë se mos kishin ardhur për atë dhe e pyeta: Pse çfarë ke bërë? “Jo, kanë ardhur për ty, nuk kanë ardhur për mua”, më tha” tregon Sali Lushaj në një intervistë për Panorama.
Gjithsesi etiketimin që i bëri Taulant Balla si “ushtari i fundit i Sali Berishës” nuk i ka pëlqyer, sepse veten e sheh si një protestues të përhershëm të Partisë Demokratike.
“Më vjen keq që ka përmendur emrin tim. Unë s’kam pasur asnjë synim politik. Nuk kam bërë debat me asnjë përfaqësues politik, as të PS-së dhe as të ndonjë krahu tjetër. Çfarë ka me Berishën apo persona të tjerë përfaqësues të politikës, le të merret me ata, jo me mua. Unë thjesht i them që, nuk është mirë të përmendet emri im. “I vetmi ushtar”, ishte shprehur Balla. Unë do të them vetëm kaq. Unë jam e do të mbetem ushtar i Partisë Demokratike.
Sepse një vëlla më është vrarë në protestë. Jo se ai e ka lënë amanet, por derisa ai është vrarë në protestë, unë, deri në frymën e fundit të jetës, unë dhe gjithë familja ime do të marrim pjesë në protesta. Në çdo lloj protestë që organizon Partia Demokratike. Por, kurrë, kurrë për të lënduar, plagosur ose ofenduar një njeri, që është me uniformë të Policisë së Shtetit. Në jetën time nuk kam ofenduar një polic. Po të ishte ashtu, ata do ta kishin deklaruar vetë. U munduan edhe dje të merrnin deklarime policësh kundër meje, por asnjëri nuk tha gjysmë fjale karshi meje. Pasi nuk kishte ndodhur asnjë veprim i tillë”thotë Lushaj, që ishte mbajtur deri në orën 03:00 të mëngjesit në qelitë e drejtorisë së policisë në Tiranë bashkë me shumë të tjerë.
(E.K/FAXWEB)