I braktisur, invalid, pa asnjë mundësi për tu ushqyer dhe i strehuar në një barakë të fshatit,63-vjeçari nga Starova bën apel për ndihmë.
Yzedin Tare, një 63-vjeçar nga fshati Starovë në rrethin e Beratit bën apel për ndihmë,pasi jeton në kushte të mjerueshme dhe pa asnjë mundësi ekonomike për tu ushqyer. Ai është invalid nga duart e këmbët dhe prej 3-vjetësh është braktisur nga familjarët e tij, që e kanë nxjerrë në rrugë të madhe.
Pasi endej rrugëve të fshatit duke lypur për të ngrënë e duke fjetur jashtë,prej një viti ai është strehuar nga banorët e fshatit në një barakë, ku nuk ka asgjë, përveçse një krevati ku ai fle. Në pamundësi për të lëvizur për shkak të sëmundjes që i ka paralizuar më shumë se gjysmën e trupit, ai nuk është më i aftë për asgjë. Yzedin Tare shprehet se, ka një vit që jeton në një barakë që ja kanë siguruar banorët e fshatit Starovë.
Ai pohon se,nuk lëviz dot fare por vetëm tërhiqet zvarrë pasi 1-vit më parë i është këputur edhe gjuri i këmbës së djathtë. Tare bën apel për ndihmë pasi nuk ka as strehim dhe as mundësi ekonomike për tu ushqyer, ndërkohë që 67 mijë lekë (të vjetra) që merr si pension invaliditeti nuk i dalin as për ilaçet që merr e që i nevojiten për të pushuar dhimbjet.
Ai shprehet se, pas vdekjes së nënës dhe babait, vëllai e dëboi nga shtëpia dhe për vite me radhë flinte rrugëve të fshatit, duke lypur për të ngrëne. Tare kërkon ndihmë nga shteti që ta strehojë në ndonjë azil apo qëndër për persona invalidë si ai pasi në kushtet në të cilat ndodhet nuk mund ti shërbejë dot vetes.
Kryetari i veteranëve të fshatit,Kadri Plaku, është një prej shumë banorëve të fshatit Statovë që e ndihmon Yzedinin me ushqim e veshmbathje. Ai shprehet se, gjëndja e tij është shumë e rëndë dhe e mjerueshme pasi ai është sakat nga këmba dhe dora dhe nuk ka mundësi ti shërbejë vetes.
Plaku pohon se, 63-vjeçari jeton i vetëm në një barakë dhe banorët e zonës e mbajnë me bukë dhe ushqim, ndërkohë që askush nuk mer përsipër ta lajë e ta ndërrojë atë. Ai kërkon që shteti të marri masat për këtë të moshuar të sëmurë që jeton në kushte të mjerueshme, në një barakë, pa ushqim e ujë.
(E.K/FAXWEB.AL)