Pas më shumë se dy muajsh protesta të artistëve, nesër në Kuvend është parashikuar që të kalojë me votat e mazhorancës projektligji për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Po nëse mendoni se i keni dëgjuar të gjitha, ju themi që ende jo. Kjo çështje kaq sensitive ka ndarë në mendime dy vëllezër, njëri shkrimtar dhe tjetri aktor.
E kemi fjalën për dy vëllezërit shkodranë Primo dhe Bruno Shllaku. Janë djemtë e regjisorit dhe Artistit të Popullit, Lec Shllaku, dhe nipa të përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku.
Ditën e djeshme aktori deklaronte në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se ishte pro shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu, ndërsa tjetri protestonte para godinës së Teatrit, kundër shembjes së saj.
“Teatri është tempull dhe tempujt janë të shenjtë, për mua ky vend është vend i shenjtë sepse është tempull. Padrejtësisht paskemi menduar sikur mbaroi koha kur shembeshin tempujt, sikur ajo histori mbaroi me ’67, ka prapë tundime për të prishur tempujt. Ky kompleks është organik, autentik dhe unik. Çdo gjë tjetër këtu “i rrin si shalla gomarit”. Këtu ka kaluar historia e Teatrit shqiptar”,tha Primo Shllaku në protestë.
Më herët në Komisionin Parlamentar Bruno Shllaku do të thoshte: “Kam një dëshirë të vetme që tu tregoj disa njerëzve që thonë: “Unë jam Teatri”. Do t’u them se ku është Teatri i vërtetë. Ne që themi që ai teatër të ribëhet ne si përkitkemi Teatrit?
Do ti themi ndokujt, unë djali i Dedë Shllakut, Artist i Popullit, shkrimtarit, poetit, interpretues i sa e sa roleve në teatër e kinematografi, themelues i Teatrit “Migjeni” dhe “Skampa”, themelues i estradës dhe teatrit të Ushtarit.
Kujt i përkas unë? Cilit teatër mund ti përkas? Nuk jam për fjalën shembje. Unë jam për atë që thotë Shekspiri: Teatrin e bëjnë njerëzit. Më jep thotë një çarçaf, edhe unë do të loz kryeveprën time”.
Ai teatër është jashtë çdo parametri. I nderuari dhe i madhi Kadri Roshi më thoshte: “Bruno më vjen turp të dal në atë skenë, është për ibret të Zotit. Se vë qeveria një dorë” – tha aktori Bruno Shllaku.