Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të G7-s ranë dakord gjatë një takimi në Kanadanë perëndimore më 22 maj se Rusia mund të përballet me sanksione të reja në rast se nuk pranon një armëpushim në luftën e saj në Ukrainë.
Në një komunikatë përfundimtare, shefat e Financave të G7-s dënuan “luftën brutale” të Rusisë dhe paralajmëruan se nëse përpjekjet diplomatike për të arritur një armëpushim dështojnë, ata do të shqyrtojnë “të gjitha opsionet”, përfshirë shtimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Moskës
Po ashtu, u bë me dije se asetet sovrane të Rusisë, të cilat mbahen në juridiksionet e vendeve të G7-s, do të mbeten të ngrira deri në momentin kur Rusia të japë fund luftës dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara Ukrainës.
Ministrat u zotuan gjithashtu të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar që ndonjë vend apo entitet që financon apo furnizon “makinerinë ruse të luftës” të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës pas luftës.
Ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Champagne, e cilësoi këtë qëndrim si “shumë të fortë” dhe theksoi rëndësinë e kësaj politike, edhe pse në komunikatë nuk u përmendën vende si Kina, e cila akuzohet shpesh për furnizimin e Rusisë me komponentë kyç.
Takimi i ministrave të G7-s u mbajt në Malet Shkëmbore të Kanadasë dhe shërbeu si paraprirës për samitin kryesor të këtij grupi, që pritet të mbahet në mes të qershorit në një resort malor afër.
Presidenti amerikan Donald Trump është konfirmuar se do të marrë pjesë në samit, ndërsa ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, mori pjesë në takim dhe i bëri thirrje G7-s që të vazhdojë trysninë mbi Rusinë për të detyruar përfundimin e luftës.