Shqipëria jo vetëm nuk po përfiton nga tendenca e nearshoring (delegimi i prodhimit në tregje të tjera), por përkundrazi dhe ato vende pune që janë po mbyllen e proceset po transferohen jashtë. Rritja e kostove të punës dhe humbjet që solli rënia e euros bëri që shumë fabrika që prodhojnë në Shqipëri veshje, këpucë, ushqime etj, të transferohen jashtë vendit. “21% punëtorë shqiptarë thonë se një pjesë e punës së bërë në vendin e tyre të punës është zhvendosur në një vendndodhje ose shtet tjetër (14% në Ballkanin Perëndimor dhe 16% në BE)” thuhet në rezultatet e Anketës Europiane për Aftësitë dhe vendet e Punës për vitin 2023.
Transferimi i vendeve të punës për shkak të rritjes së kostove në Shqipëri ishte shumë më i lartë se në vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës. Siç tregon anketa, tregu i punës në Shqipëri po përjeton një tranzicion të madh. Rreth një e treta e punëtorëve shqiptarë kanë përjetuar futjen e teknologjive të reja digjitale në vendin e tyre të punës.
Të anketuarit u pyetën për ndryshimet që kishin ndodhur në vendin e tyre të punës gjatë 12 muajve të fundit për sa i përket menaxhimit, vetë punës, teknologjive të reja digjitale, produkteve ose shërbimeve të reja, apo zhvendosjes së prodhimit.