Analisti Agim Baçi, njëherësh ish-kandidat i PD-së për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit, ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka komentuar aktualitetin politik, duke nisur nga programi qeverisës, te përplasja Berisha-Basha në PD.
Baçi tha se Rama ka qëllim të tij vetëm pushtetin, dhe ka marrë në dorë edhe pushtete jashtë qeverisë, siç është Kuvendi apo sistemi i drejtësisë. Sa i takon vendimit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD, Baçi tha se Basha ka vepruar drejt, pasi forca politike dhe orientimi euroatlantik është më i rëndësishëm se interesi i një individi të vetëm.
Programi i Ramës: Zoti Rama nuk ka qeverisur me program dhe në dy mandatet e para, shumica e programit ishte bazuar te dy vitet e fundit, sikur zoti Rama ishte zgjedhur për përballimin e fatkeqësive. Përdori gjithçka, duke u krenuar dhe për patronazhistët, shtoi me 12 mijë të punësuarit në administratë, duke treguar se do të bëjë gjithçka për pushtetin, duke minumizuar dhe personat që do të marrin tendera.
Fatkeqësisht jemi në një republikë kryeministrore, dhe i ka marrë të gjitha institucionet në dorë. Në Republikë Parlamentare, kryetarja e Kuvendit urdhëron kryeministrin që të jetë në seancë, ndërsa këtu te ne ndodh e kundërta. Nuk kemi ndarje pushtetesh. Rama është në linjën ku nuk e pengojnë as ligjet. Rama ka qëllim të vetëm pushtetin.
Rikthimi i PD-së në parlament: Është për tu parë nëse do të ketë një koordinim mes PD dhe LSI, që duket se nuk do të ndodhë. PD nuk i dha tre mandate LSI-së për të krijuar grupin parlamentar. Unë shpresoj që të kemi një parlament normal, me njerëz që kanë mungesë të thellë përgjegjësie për ligjet që kanë kaluar. Opozita do ulet në tryezë me mazhorancën, për të rikuperuar disa nga hapat e gabuara që janë bërë gjatë viteve të fundit. Shenjat janë që në Kuvend është kthyer normaliteti, që do të marrë kuptim vetëm nëse institucionet e drejtësisë do të funksionojnë.
Përjashtimi i Berishës nga PD: Edhe në statutin e PD është orientimi euroatlantik, orientimi i një force politike prevalon mbi interesin individual. Vendimi ka qenë i vonuar, i hidhur, por i drejtë. Nuk ka asnjë lider, që qëndron sërish aty duke i bërë hije pasardhësit, edhe pse je larguar si kryeministër dhe si kryetar partie. Heshtja e Berishës në shumë raste ka dyzuar PD-në. Zoti Basha ka qenë i detyruar, se ka qenë dhe propozuesi i ligjit të dekriminalizimit, pavarësisht se nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin e Tom Doshit apo Vangjush Dakos.
Berisha ka heshtur dhe ka qenë në krah të Bashës kur janë larguar persona të tjerë nga PD, ai i përket një politikani që bën akuza të forta, deri te koncepti i poliagjentit. Ndjen keqardhje kur i dëgjon këto nga zoti Berisha, e thëne vetëm pasi ndodh një gjë individuale, është për interes personal pastaj.
(E.K/Faxweb.al)