Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të deputetëve të CDU-CSU për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, të cilët votuan se nuk ka hapje të negociatave pa plotësuar 9 kushte kryesore dhe disa nënkushte të tjera.
Kreu i PD-së, shkruan se “Shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018.”
“Partitë qeverisëse në Bundestag kanë miratuar sot 9 kushte për tu plotësuar që Shqipërisë ti hapen negociatat për anëtarësim në BE.
Ju shpreh mirënjohjen ligjvënësve gjermanë dhe në veçanti partive tona simotra CDU-CSU, të cilat rikonfirmuan vullnetin e tyre për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018.
Këto kushte dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar. Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe proçedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e proçesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër.
Vendimi i CDU/CSU dhe SPD për hapjen me kushte të negociatave e ndihmon Shqipërinë për të kapërcyer krizën e rëndë politike, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një drejtësi të pavarur që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Në emër të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar, garantoj të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë se do të bëjmë gjithçka që vendit tonë t’i hapen negociatat sa më parë.- shkruan Basha.
Kujtojmë se Grupet parlamentare qeverisëse në Gjermani, kanë autorizuar Qeverinë e Kancelares Merkel që të miratojë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë vetëm kur vendi të plotësojë 9 kushte. Kushtet janë të ndara në dy faza.
Konferenca e parë për prezantimin e grupeve të negocimit do të zhvillohet vetëm atëherë kur Qeveria Gjermane të konstatojë plotësimin e dy kushteve nga Shqipëria:
- Vënia në punë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
- Miratimi i Reformës Zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore. Reforma duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike.(Lexo më shumë)