Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë në 100 për qind taksën për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ndërkohë që nga Beogradi zyrtar nuk ka ende një përgjgje, presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiç ka reaguar ashpër duke thënë se ky vendim i qeverisë së Kosovës është “njoftimi jozyrtar i luftës për serbët në Kosovë”.
“Prishtina dëshiron të dëbojë të gjithë popullin serb nga Kosova me masat e fundit. Ky është njoftimi jozyrtar i luftës për serbët në Kosovë”, tha Rakiç.
“Nëse kjo çmenduri nuk ndalet, populli serb nuk do të ketë shanse për të mbijetuar në Kosovë. Prandaj, ne po kërkojmë një reagim urgjent dhe ndihmë nga Beogradi”, vazhdoi Rakiq në një deklaratë për publikun.
Presidenti i Listës Serbe shtoi se serbët në Kosovë do të gjejnë një mënyrë për t’i rezistuar siç e quan ai, kësaj dhune, sepse kjo është luftë për mbijetesë.
“Kjo është arsyeja pse ne shpresojmë për mirëkuptimin, solidaritetin dhe mbështetjen e gjithë Serbisë”, tha Rakiç. (B.H/Faxweb)