Qeveria ka vendosur miratimin e kontratës shtesë të koncesionit, për një ndryshim dhe shtesë në kontratën e koncesionit “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”.
Qeveria e rinegocioi kontratën me koncesionarin pas protestave të qytetarëve kuksianë, të cilët nuk pranuan vendosjen e tarifës 5 euro për të kaluar në Rrugën e Kombit.
Tarifa për kalimin e Rrugës së Kombit për banorët e qarkut Kukës dhe zonave përreth është përfolur se do të jetë 100 lekë për një kalim ose 200 lekë për dy kalime.
Ndërkohë që para një muaji Ministria e Infrastrukturës publikoi edhe tarifat që duhet të paguajnë mjetet.
Tarifat e miratuara nga qeveria janë këto:
– Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;
– Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;
– Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS SHTESË TË KONCESIONIT, PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË KONTRATËN E KONCESIONIT, “PËR NDËRTIMIN, PËRMIRËSIMIN, SHFRYTËZIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E AUTOSTRADËS MILOT-MORINË”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.870, DATË 14.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, të nenit 34, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, të miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e kontratës shtesë të koncesionit, për një ndryshim dhe shtesë në kontratën e koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”, të miratuar me vendimin nr.870, datë 14.12.2016, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
(M.Q/Faxweb)