Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ditën e djeshme, së bashku me veteranët ka vendosur buqeta me lule në lapidarin kushtuar kësaj ngjarje. Në qendër të tij ishte vendosur pikërisht fotografia e ish kryeministrit komunist, Mehmet Shehu, ish-Kryeministrit për 27 vjet të regjimit komunist.
Ky veprim i saj shkaktoi reagime të shumta, kjo edhe për faktin se pothuajse në të gjitha festimet apo përkujtimoret, shfaqen foto të diktatorit Hoxha apo ish-figurave të diktaturës.
Deputetja sociliste me anë të një postimi kërkon ndjesë ndaj atyre që mund të jenë lënduar, por shkruan se nderimi ynë për martirët e luftës, nuk ka lidhje me fotot që dikush vendos, mbase dhe qëllimisht mbi lapidarin e përbashkët.
Postimi i plotë
NDJESË PËR TË GJITHË ATA QË MUND TË JENË LËNDUAR!
Përcolla me vëmendje, por edhe me shqetësim reagimin e disa mediave dhe portaleve në vend për aktivitetin e organizuar nga: Bashkia Patos, Organizata e Veteranëve të LANÇ Patos , Organizata e Familjeve të Dëshmorëve Patos dhe banorë të zonës, në kujtim të 75 vjetorit të sulmit të Çetës Plakë të Mallakastrës dhe Çetës Plakë të Vlorës kundër garnizonit fashist të Patosit.
Lapidarët në këtë vend i takojnë të rënëve, martirëve dhe dëshmorëve të Atdheut, nderimi e respekti për ta është detyrim për çdo shqiptar.
Nderimi ynë për ta, nuk ka lidhje me fotot që dikush vendos, mbase dhe qëllimisht mbi lapidarin e përbashkët.
Megjithëse një vend i lirë, nderimi im për dëshmorët, mbetet nderimi vetëm për të rënët, për heronjtë e lirisë dhe aspak nderim për diktaturat dhe diktatorët.
(M.Q/Faxweb)