Tatimet kanë nisur kontrollin për makinat e luksit të blera nga individë me të ardhura të padeklaruara.
Të dhënat tregojnë se janë 400 automjete të blera gjatë viteve 2023–2024 nga persona që nuk kanë një rrogë apo të ardhura të deklaruara në regjistrin e tatimeve.
Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë se si janë fituar paratë me të cilat kanë blerë makinat luksoze, për të shmangur gjobat.
Po ashtu, Tatimet kanë nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Transportit Rrugor për të regjistruar në kohë reale nëse taksat e mjeteve janë paguar ose jo.
Nëse policia zbulon se detyrimet nuk janë paguar në afat, makina do të bllokohet menjëherë, qoftë ajo pronë e individit apo e një kompanie biznesi.
Me këtë rast, Tatimet bëjnë thirrje që taksat të paguhen në kohë, pasi në të kundërt do të vendosen masa sigurie mbi mjetet dhe do të zbatohen të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë.