Veseli prej kohësh ka vendosur t’u largohet mediave. Që pas përfundimit të “Big Brother”, djaloshi nga Kosova preferon ta mbajë sa më private jetën e tij, e duke se ia ka dalë. Në intervistën dhënë për “Bluetooth”, ai tregon arsyet që e kanë mbajtur jashtë fokusit mediatik. Nuk e kalon pa komentuar edhe pjesëmarrjen e një shtetasi serb në edicionin e 9 të “Big Brother”.
“Për të parë po ashtu se sa ekziston predispozita nga të dyja krahët për ta lënë pas të kaluarën, për të parë përpara në një bashkëpunim sa më paqësor si dy vende fqinjë për të mirën e të dy shteteve tona”, është shprehur Veseli. Një urim ka edhe për ish-të dashurën e tij, Tean dhe partnerin e ri, Kristin. “Suksese në jetë”, ka thumbuar ai çiftin e ri…
Si ka vijuar jeta e Veselit gjatë kësaj periudhe?
Jeta ime ka vazhduar si jeta normale e çdo njërit prej nesh, me ditët dhe momentet e veta të bukura dhe të tjera jo aq të bukura. Këto kohët e fundit t’ju them të drejtën jam tërhequr pak nga jeta publike për të shijuar atë qetësinë që ta ofron privatësia.
Përse jeni larguar nga mediat, me çfarë jeni marrë këto kohë?
Siç e thashë edhe më lartë, jam marrë me jetën dhe punët personale, thjesht sepse ndjeva nevojën të qetësohesha pak nga e gjithë zhurma mediatike.
Pas pak kohësh fillon “Big Brother 9”, si do ta shikojë fituesi i fundit këtë edicion?
T’ju them të drejtën nuk është se kam qenë një ndjekës i rregullt i edicioneve të kaluara, por edicionin e 9 do ta ndjek me shumë vëmendje dhe në mënyrë të rregullt, sepse e kam një arsye, të cilën nuk dua ta bëj publike që në këtë moment.
A ke ndonjë këshillë për pjesëmarrësit?
E di që tingëllon si shumë klishe shprehja të jesh vetvetja në “Big Brother”, por sigurisht që vetëm duke qenë origjinal, vetja, vetëm kështu do të shkosh deri në fund. Sigurisht që nëse kjo shoqërohet edhe me karakterin e fortë, qetësinë, këmbënguljen dhe fokusin në qëllimin final, të cilin duhet t’ia kesh vënë vetes, besoj se suksesi është i garantuar.
I keni ndjekur lajmet, jeni në dijeni që këtë vit mund të marrë pjesë edhe një serb, si ju duket ky vendim?
Tani po e marr vesh në fakt, nuk e kam ditur, por nëse është e vërtetë, mendoj se është gjetje për të parë se sa realisht jemi mjaftueshëm të civilizuar për të bashkëjetuar edhe me dikë, që deri dje e kemi quajtur “armik”. Për të parë po ashtu se sa ekziston predispozita nga të dyja krahët për ta lënë pas të kaluarën, për të parë përpara në një bashkëpunim sa më paqësore si dy vende fqinj për të mirën e të dy shteteve tona. Këtu më duhet të përgëzoj edhe personazhin serb për kurajën që ka marrë për të marrë pjesë në një ‘reality shoë’ totalisht shqiptar.
Do të ketë përplasje mes banorëve shqiptarë dhe atij serb, si mendoni?
Përplasje besoj se do të ketë, sepse përplasjet janë gjëja më normale në “Big Brother”, por nëse këto përplasje do të jenë tendencioze, thjesht nisur nga kombësia, këtë nuk mund ta them me siguri. Kjo mbetet për t’u parë, edhe pse do të ishte mirë mendoj për ne, si njerëzit që jemi në shtëpinë tonë po themi, t’i tregojmë vlerat njerëzore dhe qytetarinë tonë po ashtu duke ruajtur normat e sjelljes dhe etikës.
Si është jeta private e Veselit?
Jeta private e Veselit, nga vetë epiteti “private”, mendoj se duhet të mbetet e tillë këtej e tutje. “Big Brother” ka mbaruar tashmë, do apo nuk do për sa kohë merr pjesë aty, çdo gjë që bën në një farë mënyrë e merr vesh gjithë Shqipëria. Tani nuk ka më arsye, të paktën për aq sa unë kam mundësi, ta mbaj të tillë dhe tek e fundit, të bëj publike atë që dua dhe kur të dua unë vetë, pa qenë nevoja të jem nën presion.
Vazhdoni të jeni i preferuari i femrave, a ka Veseli një të dashur të famshme?
Pjesa e parë e pyetjes u takon femrave të përgjigjen, jo mua (qesh). Ndërsa përsa i përket pjesës së dytë, jo nuk kam një të dashur të famshme.
Çfarë ju josh tek një femër?
Mendoj se çdo mashkull kur shikon për herë të parë një femër tërhiqet nga pamja fizike e saj. Bukuria e jashtme është një gjë që nuk i shpëton dot syrit, por kjo vetëm në momentin e parë, më pas, të paktën mua personalisht më intrigon e më tërheq shumë mendja e një femre, sigurisht cilësitë e mira, vlerat, por mbi çdo gjë, më tërheq shumë mençuria tek një femër.
I keni parë lajmet për lidhjen e Teas me Kristin, si ju duket kjo dyshe?
Në fakt, nuk do kisha dëgjuar asnjë lajm në lidhje me ta, nëse nuk do ishin fansat ata që do më shkruanin. Nuk është se më duken ndryshe nga ç’janë, apo nga ç’ju duken edhe gjithëve të tjerëve. Mendoj se pak rëndësi ka se si më duken mua, për më tepër që nuk i kam kushtuar aq shumë rëndësi sa për të pasur një mendim të qartë për ta, përsa kohë që ata janë dhe ndjehen mirë me njëri-tjetrin, pak rëndësi ka pjesa tjetër. Populli ynë ka një shprehje që ju në Shqipëri e përdorni shpesh që thotë se… ‘ka gjetur tenxherja kapakun’, besoj se në rastin në fjalë zë vend kjo shprehje.
Ndjeheni i tradhtuar për këtë raport?
Nuk mendoj se rasti në fjalë nëse do gjykohej, do gjykohej thjesht për tradhti tradicionale të një partneri ndaj një tjetri, sepse ne ishim të ndarë ndërkohë, të tjera arsye janë ato pse mund të gjykohet kjo lidhje, por që nuk më takon mua ta bëj. Me pak fjalë, nuk më intereson dhe nuk më lidh asgjë me personat në fjalë, në këtë rast do ju uroja “Suksese në jetë”.
Pse u ndatë me Tean, mendoni që do të funksionojë mes asaj dhe Kristit?
Mendoj se u zgjatëm shumë me këtë temë, pak rëndësi ka ‘pse’-ja tashmë dhe nuk e lodh fare trurin të mendoj nëse do të funksionojë ose jo kjo lidhje. Është çështje e tyre, jo e imja; si t’u funksionojë, si jo, për mua nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lloj interesi të di se si do u shkojë.