Familja Fejza nga lagjja fermë e Cërrikut, përveç jetesës së vështirë në varfëri të tejskajshme, është duke vuajtur prej 13 vitesh sëmundjen e djalit të madh, Agimit, i cili është i diagnostifikuar me tumor në kokë.
Pas operacionit të parë mjekët i kanë kërkuar të operohet përsëri, pasi sëmundja është e vështirë dhe i ka krijuar probleme jo vetëm të shëndetit mendor por edhe fizik. Sëmundja i krijon vështirësi edhe në të folur.
Kryefamiljari Qemal Fejza është i vetmi person që punon në këtë familje, e me lot në sy ai kërkon ndihmë për të mbledhur një shumë prej 15 mijë eurosh për të kryer operacionin.
Nëna e tij, Lorenca shprehet se gjendja e të birit po vështirësohet nga dita në ditë. Ajo detyrohet të qëndrojë çdo ditë në shtëpi për tu kujdesur për djalin e sëmurë, pasi për shkak të oplikacioneve të papritura asnjë shkollë nuk e merr përsipër. Jetesën ia vështirësojnë më tepër edhe pjestarët e tjerë të familjes me probleme shëndetësore.
Kjo është historia e familjes Fejza e cila prej 13 vitesh është duke luftuar me sëmundjen e djalit të tyre të madh, ku deri më tani askush nuk e ka ndihmuar.