Dragos Savulescu, bashkëshorti i modeles shqiptare Angela Martini, është vetëdorëzuar para autoriteteve italiane, pasi ishte shpallur në kërkim nga ato rumune, që e kanë dënuar me mbi 5 vjet heqje lirie.
Mediet raportojnë se Savulescu ishte në arrati prej mbi 1 viti dhe ai është dorëzuar në policinë e Napolit (Itali). Ai ndodhet në paraburgim, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur komunikimet me ato rumune për ekstradimin e Savulescu, për të cilin gjithsesi do të vendosë gjykata italiane.
Mediat rumune kanë raportuar se ai akuzohet për keqpërdorime në vendin e tij të origjinës, ndërsa bënte jetë luksoze në Los Angeles.
Sipas Liberta Tea, biznesmeni Savulescu ka përvetësuar një pronë në vlera milionëshe në mënyrë të paligjshme teksa pas këtyre veprimeve, në vitin 2012 është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të bërë jetë luksoze.
E njëjta media shkruante se aktori ka jetuar me modelen shqiptare në një vilë, vlera e së cilës shkon deri në gjashtë milionë dollarë.
Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë kishte shpallur vendimet përfundimtare në rast të kthimit të Dragos Savulescut në Rumani, me verdikt se ai do të dënohet me pesë vjet e gjysmë burg.