Oltion Buzi, pronari i njohur i subjektit tregtar “Buzi Store”, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës rreth një javë më parë, pas disa muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim që prej janarit të këtij viti, me një masë sigurie “arrest në burg” të caktuar në mungesë nga Gjykata, për veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, ndaj Buzit kishin nisur hetimet pasi dyshohej për një evazion fiskal në përmasa të mëdha. Hetimi zbuloi se “Buzi Store” nuk kishte deklaruar rreth 3.7 milionë euro të ardhura pranë autoriteteve tatimore, duke shmangur kështu detyrimet ligjore ndaj shtetit.
Gjatë fazës hetimore, u ushtruan kontrolle në tetë adresa të ndryshme të lidhura me subjektin “Buzi Sport”, përfshirë edhe ambientet e shoqërisë së fiskalizimit. Gjatë operacionit, u sekuestruan njësi kompjuterike, pajisje elektronike, si dhe një shumë prej 8 milionë lekësh, e cila nuk ishte e justifikuar me dokumentacion ligjor.
Prokuroria thekson se subjekti përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për lëshimin e faturave, nëpërmjet një platforme online të palicencuar, “store.dyqanimen.com”. Ky sistem i falsifikonte faturat, duke përmbajtur mangësi të elementëve të kërkuar nga legjislacioni tatimor dhe duke shmangur fiskalizimin e tyre.
Në disa raste, kompania deklaronte vlera më të ulëta sesa ato të realitetit për qëllime tatimore, një praktikë që besohet të ketë sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin. Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërkohë që Oltion Buzi ndodhet aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalë përballë gjykatës në ditët në vijim.